• e premte, 22 nëntor 2024

Makron: Arrestimi i drejtorit të Telegramit nuk është i motivuar politikisht

Makron: Arrestimi i drejtorit të Telegramit nuk është i motivuar politikisht

Paris, 26 gusht 2024 (MIA) – Presidenti i Francës, Emanuel Makron sot deklaroi se arrestimi i drejtorit ekzekutiv të aplikacionit Telegram, Pavel Durov në Paris nuk është veprim i motivuar politikisht, por pjesë e hetimit të pavarur.

Durov u arrestua në aeroportin e Parisit të shtunën pas një urdhërarresti ku pretendohet se platforma e tij është përdorur për pastrim parash, kontrabandë të drogës dhe krime të tjera.

Në fjalimin e tij të parë publik për arrestimin, Makron në rrjetin X bëri të ditur se Franca është thellësisht e përkushtuar ndaj lirisë së shprehjes, por se "liritë mbështeten në kornizën ligjore si në mediat sociale ashtu edhe në jetën reale për të mbrojtur qytetarët dhe për të respektuar të drejtat e tyre themelore”.

Përfaqësuesit e qeverisë ruse kanë shprehur shqetësimin për arrestimin e Durovit, duke e cilësuar atë si veprim të motivuar politikisht dhe se arrestimi është tregues i standardeve të dyfishta perëndimore në lidhje me lirinë e fjalës.

Telegram pretendon se respekton ligjet e Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe Ligjin për shërbime digjitale dhe se politika e saj për përdoruesit është "në kuadër të standardeve dhe vazhdimisht po përmirësohet".

"Është absurde të pretendohet se platforma apo pronari i saj është përgjegjës për keqpërdorimin e asaj platforme. Pothuajse një miliard përdorues në mbarë botën përdorin Telegramin si mjet komunikimi dhe si burim informacioni. Presim zgjidhje të shpejtë për këtë situatë", thuhet në komunikatën e Telegramit.

Foto: EPA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR