• e martë, 19 nëntor 2024

Majkrosoft: Rusia, Kina dhe Irani janë në lidhje me kriminelët kibernetikë për t'i dëmtuar SHBA-në dhe aleatët

Majkrosoft: Rusia, Kina dhe Irani janë në lidhje me kriminelët kibernetikë për t'i dëmtuar SHBA-në dhe aleatët

Uashington, 15 tetor 2024 (MIA) - Rusia, Kina dhe Irani mbështeten në rrjete kriminele për të zhvilluar operacione spiunazhi dhe hakerimi ndaj kundërshtarëve si SHBA-ja, ceket në raportin e Majkrosoftit.

Bashkëpunimi i shtuar mes qeverive autoritare dhe kriminelëve hakerë i shqetësoi përfaqësuesit e sigurisë nacionale dhe ekspertët për siguri kibernetike të cilët thonë se ai i paraqet kufijtë gjithnjë e më të paqartë mes këtyre kriminelëve dhe aktiviteteve të kahëzuara nga Pekini apo Kremlini.

Qëllimi i këtyre aktiviteteve është minimi i rivalëve, përderisa kriminelët janë më shumë të interesuar për përfitim financiar, ceket në raportin për kërcënimet digjitale të Majkrosoftit.

Për shtetet si Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, të cilat i kanë lidhjet e veta me grupet e hakerëve, bashkimi me kriminelët kibernetikë ofron martesë interesi me përfitime për të dyja palët, ceket në rpaort. Qeveritë mund ta rrisin vëllimin dhe efektivitetin e aktiviteteve të tilla pa shpenzime shtesë, ndërsa kriminelëve u ofrohen rrugë të reja për përfitim dhe premtim për mbrojtje qeveritare.

Rrjetet lidhur me Rusinë, Kinën dhe Iranin i kanë targetuar votuesit amerikanë, duke shfrytëzuar ueb-faqe të rrejshme dhe llogari në rrjetet sociale për të përhapur informata të rrejshme dhe të pasakta për zgjedhjet në vitin 2024.

Analistët në Majkrosoft dakordohen me vlerësimin e zbuluesve amerikanë të cilët thonë se Rusia është e kahëzuar drejt fushatës së nënpresidentes Kamalla Haris, përderisa Irani punon kundër ish-presidentit Donalld Tramp.

Kina mohon se po kryen aktivitete të këtilla, pasi që zëdhënësi i ambasadës kineze në Uashington deklaroi për disa mediume amerikane se pohimet në raport janë të pabaza dhe e akuzoi SHBA-në se po përhapë "dezinformata të veta për të ashtuquajturat kërcënime hakerike kineze". ab/

Fotо: МIА arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR