• e diel, 05 janar 2025

Majk Xhonson u rizgjodh si Kryetar i Dhomës përfaqësuese të SHBA-së

Majk Xhonson u rizgjodh si Kryetar i Dhomës përfaqësuese të SHBA-së

Uashington, 3 janar 2025 (MIA) - Kryetari i Dhomës përfaqësuese amerikane, Majk Xhonson (republikan nga Luiziana), u rizgjodh sot në postin më të lartë në Dhomë që në votimin e parë.

Xhonson fitoi mbështetjen e të gjithë anëtarëve, përveç tre anëtarëve të partisë së tij, pavarësisht spekulimeve se ndoshta do t'i mungojnë vota ose duhet të kalojë nëpër disa raunde votimi për të siguruar postin. Pas negociatave në prapaskenë, dy nga tre që fillimisht ishin kundër, ndryshuan votat e tyre në favor të tij.

Me një shumicë të ngushtë të republikanëve në Dhomën përfaqësuese dhe Presidentin e sapozgjedhur Donald Tramp që emëroi tre republikanë në kabinetin e tij, Xhonson mund të përballonte të humbiste vetëm një votë nëse të gjithë votonin sipas linjave partiake. Përfaqësuesi Tomas Masi (republikan nga Kentaki) njoftoi më parë se ai nuk do të votonte për Xhonson.

Megjithatë, Xhonson kishte mbështetjen e Trampit dhe e lidhi fatin e tij politik me atë të agjendës legjislative të Trampit, të cilën republikanët shpresojnë të fillojnë ta zbatojnë shpejt këtë vit. Megjithëse mediat raportuan se Tramp ishte kritik ndaj Xhonsonit për mënyrën sesi ai e zgjidhi marrëveshjen e përkohshme të buxhetit në fund të vitit, Tramp e mbështeti publikisht Xhonsonin dhe e bëri këtë përsëri sot.

"Fitorja e Majk sot do të jetë një fitore e madhe për Partinë Republikane dhe një tjetër njohje e zgjedhjeve presidenciale më të rëndësishme në 129 vjet!", shkroi Tramp në rrjetet sociale.

Republikanët donin të shmangnin një përsëritje të janarit 2023, kur, pavarësisht se morën kontrollin e Dhomës, atyre u duheshin 15 raunde votimi për të zgjedhur përfaqësuesin e atëhershëm Kevin Mekarti (republikan nga Kalifornia) si kryetar. Mekarti bëri lëshime për të fituar postin, por u hoq përfundimisht në tetor të po të njejtit vit.

Xhonson loboi intensivisht me kolegët e tij deri mbrëmë vonë në përpjekje për të siguruar fitoren që në raundin e parë.

"Bisedat e mia me kolegët po shkojnë shkëlqyeshëm dhe shumë anëtarë janë bashkuar me shumë vëmendje dhe me mirëbesim me sugjerimet për përmirësime në proces dhe gjërat që ata do të donin t'i shihnin ndryshe," deklaroi ai për Foks njuz. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR