Më shumë se 50 persona humbën jetën brenda një dite në sulmet e Izraelit në Gazë
- Më shumë se 50 persona janë vrarë në disa sulme izraelite në Rripin e Gazës në më pak se 24 orë.
- Post By Fami Bajrami
- 16:42, 19 tetor, 2024
Jerusalem, 19 tetor 2024 (MIA) - Më shumë se 50 persona janë vrarë në disa sulme izraelite në Rripin e Gazës në më pak se 24 orë.
Ministria e Shëndetësisë së Palestinës tha se është goditur spitali në Beit Lahia dhe se ushtria kishte qëlluar mbi ndërtesën e spitalit dhe terrenin e saj, duke shkaktuar panik tek pacientët dhe stafi.
Në qendër të Gazës, të paktën 10 njerëz humbën jetën, duke përfshirë dy fëmijë, kur një shtëpi u godit në qytetin Zavajada.
Në një sulm tjetër, 11 persona nga e njëjta familje u vranë në kampin e refugjatëve Magazi.
Gjatë natës, të paktën tre shtëpi u goditën në veri të Gazës, ku jetën e humbën 30 njerëz – më shumë se gjysma e tyre gra dhe fëmijë. Janë goditur shtëpi edhe në Xhabalia ku të paktën 80 njerëz u plagosën.
Sulmet izraelite kanë shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, janë zhvendosur rreth 90 për qind nga 2.3 milionë njerëz, shumica e të cilëve nuk kanë ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant.
Një dron i lansuar mëngjesin e sotëm nga Libani goditi rezidencën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.
Sipas ushtrisë izraelite, mëngjesin e sotëm nga Libani janë lëshuar 55 raketa në dy sulme në veri të Izraelit. Disa u kapën, bëri të ditur armata, ndërsa nuk raportohet për viktima.
Ministria e Shëndetësisë së Libanit kumtoi se dy persona u vranë pasi Izraeli qëlloi nga ajri drejt një makine. Nuk dihet se kush ishte në të.
Foto: EPA