Më shumë se 30 të vdekur pas shpërthimit në një fabrikë kimike në Indi
- Numri i vdekjeve të konfirmuara pas një shpërthimi në një fabrikë kimike në Indinë jugore është rritur në të paktën 35, kumtuan sot autoritetet.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 11:06, 1 korrik, 2025
Nju Delhi, 1 korrik 2025 (MIA) - Numri i vdekjeve të konfirmuara pas një shpërthimi në një fabrikë kimike në Indinë jugore është rritur në të paktën 35, kumtuan sot autoritetet.
Tridhjetë e një trupa janë nxjerrë nga rrënojat, ndërsa tre persona kanë vdekur në spital nga plagët, sipas shefit të policisë së qarkut Sangaredi në shtetin Telangana.
Ministri i Shëndetësisë i Telanganës, Damodar Raxhanarsimha, të hënën në mbrëmje bëri të ditur se numri i të vdekurve ishte rritur në 12.
Shumë punëtorë janë lënduar edhe në shpërthimin, i cili ndodhi në një zonë industriale pranë qytetit të Hajderabadit.
Sipas Raxhanarsimha, më shumë se 90 persona kanë qenë në objekt në kohën e shpërthimit, i cili shkaktoi shembjen e një ndërtese trekatëshe.
Mediat indiane raportuan se shpërthimi fillestar shkaktoi një shpërthim dytësor dhe një zjarr të madh.
Operacionet për kërkim dhe shpëtim vazhduan sot, ndërsa ekipet e emergjencës kontrolluan rrënojat për të mbijetuar të mundshëm ose viktima të tjera.
Shkaku i saktë i shpërthimit është ende nën hetim. Gazeta lokale, "Dekan kronikëll", raportoi se një reaktor kimik mund të ketë shpërthyer.
Incidenti ka ndodhur në një strukturë të operuar nga "Sigaçi", një kompani që prodhon produkte farmaceutike dhe kimike.
Foto: EPA