• e mërkurë, 05 mars 2025

Më 17 dhe 18 mars takim për çështjen qipriote në Gjenevë

Më 17 dhe 18 mars takim për çështjen qipriote në Gjenevë

Athinë, 5 ,mars 2025 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh ka ftuar presidentin e Republikës së Qipros, Nikos Hristodoulidis të marrë pjesë në takimin e zgjeruar për çështjen e Qipros që do të mbahet në Gjenevë më 17 dhe 18 mars, informoi zëdhënësi i qeverisë qipriote, Konstantinos Letibiotis, raporton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Në deklaratën me shkrim, zëdhënësi i qeverisë njoftoi se Guteresh ka theksuar në letër se qëllimi i takimit është të ketë shkëmbim thelbësor të pikëpamjeve për arritjen e përparimit në çështjen e Qipros.

Ai shpjegoi se takimi do të fillojë me darkë më 17 mars, do të vazhdojë më 18 mars me kontakte dypalëshe, pas së cilës pjesëmarrësit do të qëndrojnë në objektin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa agjenda e detajuar do të bëhet e ditur më vonë.

"Sekretari i përgjithshëm, paralelisht, përsërit angazhimin e vendosur të Kombeve të Bashkuara për kërkimin e një kuadri të përbashkët për përparimin rreth problemit të Qipros, duke shpresuar se ky takim do të japë një shtysë për dinamikë pozitive për të ardhmen. Si Republikë e Qipros, ne vijmë në këtë takim të zgjeruar me një qëndrim konstruktiv dhe vullnet të sinqertë politik, me qëllim që ai të jetë një trampolinë për rifillimin e negociatave nga ku u ndërprenë", njoftoi Letibiotis në deklaratën me shkrim.

Në mes të tetorit të vitit të kaluar, presidenti i Qipros, Nikos Hristodulidis dhe lideri i turqve qipriotë, Ersin Tatar, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh zhvilluan takim jozyrtar trepalësh në Nju Jork, ndërsa në fund të janarit të dy liderët zhvilluan një takim të ri në Qipro nën kujdesin e përfaqësuesti special dhe zëvendës këshilltarit special të Sekretarit të përgjithshëm të KB-së për Qipron, Kolin Stjuart dhe shqyrtuan mundësitë për hapjen e vendkalimeve të reja.

Takimi i ri me Sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara pritet të jetë në një format të zgjeruar me pjesëmarrjen e Turqisë dhe Greqisë.

Bisedimet për çështjen e Qipros u pezulluan në korrik të vitit 2017 kur në Kran Montana nuk u arrit një zgjidhje. qa/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR