• e diel, 22 dhjetor 2024

Luftime të ashpra në Kan Junis derisa ekspertë të KB-së druajnë nga një “katastrofë”

Luftime të ashpra në Kan Junis derisa ekspertë të KB-së druajnë nga një “katastrofë”

Gazë, 26 janar 2024 (MIA) – Ushtria izraelite kumtoi sot se vazhdojnë luftimet intensive në qytetin jugor Kan Junis në Rripin e Gazës, ku ushtarët sulmuan dhjetëra objektiva të organizatës islamike palestineze Hamas.

Luftimet zhvillohen në ditën kur Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë në Hagë vendosi se Izraeli rrezikon gjenocidin në luftën në Gazë, por nuk urdhëroi ndërprerje urgjente. Ministria e Shëndetësisë nën kontrollin e Hamasit kumtoi se më shumë se 26.000 banorë të Gazës kanë humbur jetën në luftën katërmujore.

Në kumtesën e armatës izraelite thuhet: "Ushtarët vranë terroristët gjatë luftimeve në zonë", transmeton DPA.

Ushtria kumtoi se kishte sulmuar përsëri infrastrukturën e Hamasit në veri të brezit bregdetar.

Sipas dëshmitarëve okularë, mijëra njerëz u larguan nga Kan Junis për shkak të luftimeve të ashpra. Qyteti më i madh në jug të Rripit të Gazës konsiderohet si bastion i Hamasit.

Eksodi masiv nga Kan Junis në qytetin kufitar Rafah në pjesën jugore të Rripit të Gazës mund të ketë pasoja shkatërruese për popullatën civile, bën të ditur një ekspert i KB-së për të drejtat e njeriut.

"Nëse keni njerëz që lëvizin në një numër të madh nga Kan Junis dhe vende të tjera, kjo do të jetë një katastrofë e madhe", tha Axhit Sungaj, shef i Zyrës së Kombeve të Bashkuara të Komisionarit të lartë për të drejtat e njeriut, territorit të pushtuar palestinez (OHCHR).

"Mund të ketë prishje të çdo lloj rendi civil", theksoi ai.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR