Luftë tregtare në Amerikën e Veriut: Trampi vendosi tarifa, Kanadaja dhe Meksika paralajmërojnë përgjigje
- SHBA-ja sot vendosi tarifa të reja prej 25 për qind për importet nga Kanadaja dhe Meksika, si dhe dyfishim të tarifave për mallrat kineze, duke shkaktuar një valë të re të tensioneve tregtare me tre partnerët më të mëdhenj tregtarë amerikan.
- Post By Lindita Sulejmani
- 09:45, 4 mars, 2025
Uashington, 4 mars 2025 (MIA) - SHBA-ja sot vendosi tarifa të reja prej 25 për qind për importet nga Kanadaja dhe Meksika, si dhe dyfishim të tarifave për mallrat kineze, duke shkaktuar një valë të re të tensioneve tregtare me tre partnerët më të mëdhenj tregtarë amerikan.
Tarifat e reja, të cilat hynë në fuqi sonte në orën 12:01 me kohën Lindore, mund të ndikojnë në tregtinë me vlerë 2,2 trilion dollarë. Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se vendimi është në përgjigje të, siç pretendon, "përpjekje të pamjaftueshme" nga Kanadaja, Meksika dhe Kina për të parandaluar kontrabandën e fentanilit në SHBA.
"Mjaft ishte. Ne nuk do t'i lejojmë këto vende të rrinë duarkryq derisa amerikanët të vdesin nga kjo drogë vdekjeprurëse", deklaroi Tramp në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë.
Kanadaja hakmerret me tarifat e veta, Trudo paralajmëron për rrezik për marrëdhëniet
Kryeministri kanadez Xhastin Trudo njoftoi se Otava po vendos menjëherë tarifa 25 për qind për mallrat amerikane me vlerë 30 miliardë dollarë kanadezë (20,7 miliardë dollarë) dhe nëse masat amerikane mbeten në fuqi për 21 ditë, tarifa shtesë do të vendosen për 125 miliardë dollarë të tjerë kanadezë (86,2 miliardë dollarë).
"Tarifat do të prishin marrëdhëniet jashtëzakonisht të suksesshme tregtare midis vendeve tona," tha Trud, 0shtuar se masat e Uashingtonit shkelin marrëveshjen e tregtisë së lirë (USMCA), të cilën Tramp nënshkroi gjatë mandatit të tij të parë.
Trudo tha se Kanadaja do të targeton produkte amerikane si birra, vera, borboni, pajisjet shtëpiake dhe lëngu i portokallit. Për më tepër, Kryeministri i Ontarios Dag Ford për En-Bi-Si deklaroi se është i përgatitur të ndërpresë dërgesat e nikelit dhe energjisë elektrike në Shtetet e Bashkuara si një masë shtesë hakmarrëse.
Meksika paralajmëron "Plan A, Plan B, Plan C dhe Plan D"
Presidentja meksikane Klaudia Sheinbaum paralajmëroi se vendi i saj do t'i përgjigjet tarifave të reja, ndërsa më shumë detaje do të kumtojë gjatë ditës së sotme.
"Në këtë situatë na duhet qetësi dhe durim. Ne kemi Plan A, Plan B, Plan C dhe madje plan D", deklaroi Sheinbaum, duke shtuar se Meksika ka përgatitur tashmë një plan krize.
Kina përgatit masa hakmarrëse, Pekini dënon politikën amerikane
Përveç masave kundër Kanadasë dhe Meksikës, Tramp dyfishoi edhe tarifat për mallrat kineze, duke i rritur ato nga 10 në 20 për qind, me argumentin se Kina nuk kishte marrë masa të mjaftueshme për të parandaluar kontrabandën e fentanilit në SHBA.
Ministria e Tregtisë e Kinës njoftoi se do të merrte "kundërmasat e duhura", por nuk dha detaje për momentin. Gazeta "Global Tajms", e cila mbështetet nga qeveria kineze, publikou se Pekini me shumë gjasa do të vendosë tarifa për produktet bujqësore dhe ushqimore amerikane.
“Uashingtoni po fajëson gabimisht Pekinin për krizën e saj të fentanilit”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme.
Sektori i biznesit paralajmëron: "Çmimin do ta paguajnë konsumatorët amerikanë"
Kryetari i Këshillit amerikan për politikë automobilistike, Met Blant, deklaroi se tarifat e reja do të rrisin çmimet e automjeteve dhe do të godasin prodhimin vendas.
"Tarifat janë një taksë për popullin amerikan. Kjo do të rrisë shpenzimet për konsumatorët dhe prodhuesit dhe do të prishë zinxhirët e furnizimit", tha Blunt.
Drejtoresha ekzekutive e Odës kanadeze të Tregtisë, Kendis Laing, vlerësoi se "vendimi i pamatur" i SHBA-së do ta zhysë Amerikën e Veriut në një recesion ekonomik.
Bursat aziatike reagojnë me rënie
Tensionet u reflektuan edhe në tregjet botërore. Indeksi MSCI i aksioneve aziatike ra 0,3 për qind, ndërsa Nikei i Japonisë humbi 1,3 për qind.
"Investitorët kanë frikë nga një luftë tregtare. Kanadaja tashmë ka futur kundërmasa, ndërsa pritet edhe Meksika të publikojë përgjigjen e saj," komentojnë analistët për media perëndimore.
Analistët paralajmërojnë: Lufta tregtare mund të dobësojë ekonominë
Megjithëse Tramp pretendon se tarifat janë të nevojshme për të mbrojtur ekonominë amerikane, ekspertët paralajmërojnë se një luftë tregtare mund të shkaktojë paqëndrueshmëri ekonomike.
“Tarifat mund të çojnë në rritje të çmimeve të produkteve, ulje të eksporteve dhe humbje potenciale të vendeve të punës”, thanë ekonomistë për "Bi-Bi-Si".
Të gjithë sytë janë tashmë te reagimet e Meksikës dhe Kinës, të cilat pritet të publikojnë masa shtesë gjatë ditës. ls/
Foto: EPA