Lobistët e Huavej"-it dyshohen për korruptim të eurodeputetëve
- Prokuroria Publike Belge zbaton hetim për dyshimet se lobistët e kompanisë kineze "Huavej" u kanë dhënë ryshfet rreth 15 eurodeputetëve, shkruan gazeta e Brukselit "Soar".
- Post By Ajrije Rexhepi
- 12:04, 13 mars, 2025

Bruksel, 13 mars 2025 (MIA) - Prokuroria Publike Belge zbaton hetim për dyshimet se lobistët e kompanisë kineze "Huavej" u kanë dhënë ryshfet rreth 15 eurodeputetëve, shkruan gazeta e Brukselit "Soar".
Sipas burimeve në Prokurorinë Publike, pas hetimit disa muajsh janë arrestuar disa lobistë të "Huavej", ndërsa herët në mëngjes, qindra anëtarë të policisë federale belge kanë kryer bastisje në 21 lokacione në të gjithë Belgjikën. Gjithashtu, si pjesë e hetimit, bastisje është kryer edhe në Portugali.
Gazeta thekson se policia ka bastisur shtëpi dhe zyra të personave, që punonin ose punojnë ende si lobistë për kompaninë kineze të telekomunikacionit.
Lobistët e arrestuar dyshohen se u kanë dhënë ryshfet eurodeputetëve aktualë dhe të mëparshëm, me qëllim që të promovojnë dhe punojnë në interes të politikës tregtare të Huavejit në Bashkimin Evropian. Kundër tyre mund të ngrihen akuza për "korrupsion", "falsifikim dokumentesh dhe përdorim të tyre", "pastrim parash" dhe “bashkim kriminal".
Hetimi i koduar "Gjenerata", deri më tani është zhvilluar në fshehtësi, me të kanë qenë të njoftuar vetëm disa gjykatës dhe nëpunësi, madje nuk është regjistruar as në bazën e të dhënave të policisë belge.
Sipas Soar, i dyshuari kryesor në këtë hetim është 41-vjeçari Valerio Otati, i cili nga viti 2019 është për marrëdhënie me publikun në përfaqësinë e "Huavej" në Bashkimit Evropian. Para kësaj, Otati punoi për dhjetë vjet si asistent i dy ish-deputetëve italianë, njëri nga Partia Popullore Evropiane (EPP) dhe tjetri nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (SD).
Burime nga Prokuroria bënë me dije se hetimi dyshon se Otati ka përdorur lidhjet e tij për të organizuar "shumë takime me eurodeputetë" dhe "ngjarje në të cilat ka ftuar shumë persona". Prokuroria dyshon se këto "ngjarje" ishin pjesë e aktiviteteve për korruptimin e eurodeputetëve, ku ndër të tjera përfshiheshin dhurata të shtrenjta, si smartfonë të "Huavej" apo bileta për ndeshje futbolli.
Prokuroria dyshon se transfertat e fondeve për eurodeputetët janë bërë përmes një kompanie portugeze, selia e së cilës ka qenë objekt i bastisjes së sotme.
Rregullat e Parlamentit Evropian kërkojnë që eurodeputetët të deklarojnë çdo dhuratë që marrin nga palët e treta, ndërsa vlera e së cilës nuk është më shumë se 150 euro.
Ky është një skandal i ri ryshfeti në Parlamentin Evropian, pas "Katargejt" dy vite më parë, ku tre eurodeputetë aktualë të atëhershëm u akuzuan për "korrupsion", "pastrim parash" dhe "krim të organizuar" dhe janë nën dyshim se kanë qenë "nën ndikimin e qeverive të Katarit, Marokut dhe Mauritanisë". Një ish-deputet i Parlamentit Evropian është deklaruar fajtor për të gjitha akuzat, në këmbim të një marrëveshjeje pranimi të fajësisë për një dënim më të lehtë dhe zbulimin e identitetit të atyre që janë përfshirë në komplotin e ryshfetit.
Foto: Arkivi i MIA-s