Lituania kërkon që BE-ja të vendosë më shumë sanksione ndaj Rusisë
- - Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauzeda, sot i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të vendosë sanksione edhe më të gjera kundër Rusisë sesa ato të përfshira në pakon e dhjetë të sanksioneve të BE-së kundër vendit për shkak të pushtimit të tij në Ukrainë, njoftoi DPA.
- Post By Fitore Curri
- 21:51, 28 shkurt, 2023
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion. Pakot 11 dhe 12 po vijnë. Nuk do të tërhiqemi”, tha Nauzeda në pushimoren baltike të Lituanisë, Palanga.
Ai tha se veçanërisht angazhohet për masa ndëshkuese kundër kompanisë shtetërore ruse për energji bërthamore "Rosatom" dhe gjithë sektorit.
Presidenti lituanez shprehu kënaqësinë që pakoja e dhjetë e sanksioneve u miratua në përvjetorin e parë të pushtimit të premten. “Nuk jam shumë i kënaqur me pakon e fundit të sanksioneve”, shtoi ai, duke shprehur keqardhjen që industria bërthamore ruse nuk u prek.
Presidenti i Lituanisë shtoi se të gjitha pakot e sanksioneve deri më tani janë rezultat i kompromisit, në të kundërtën nuk do të pranoheshin.
Sanksionet e reja kundër Rusisë, të cilat hynë në fuqi në fundjavë, prekin tregtinë, propagandën dhe sektorin financiar. Ashtu si në pakot e mëparshme, u sanksionuan persona dhe organizata të akuzuara për minim dhe kërcënim të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës. fc/