Lituania dhe Estonia ua kanë ndaluar fluturimet për Ficon dhe Vuçiqin gjatë rrugës për në Moskë
- Lituania dhe Estonia kanë vendosur të ndalojnë fluturimin mbi hapësirën e tyre ajrore të aeroplanëve me të cilët kryeministri sllovak Robert Fico dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të udhëtojnë për në Moskë për të marrë pjesë në përkujtimin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 12:14, 8 maj, 2025
Bruksel, 8 maj 2025 (MIA) - Lituania dhe Estonia kanë vendosur të ndalojnë fluturimin mbi hapësirën e tyre ajrore të aeroplanëve me të cilët kryeministri sllovak Robert Fico dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të udhëtojnë për në Moskë për të marrë pjesë në përkujtimin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë.
Presidenti lituanez Gitanas Nauseda deklaroi se vendimi i këtillë u mor për "arsye sigurie".
"Siguria e të gjithë njerëzve që udhëtojnë mbi Lituani, përfshirë edhe liderët, është përparësia jonë më e lartë, prandaj kemi marrë këtë vendim", tha Nauseda.
Ministria e Punëve të Jashtme e Estonisë bëri të ditur se "nuk vjen parasysh" përdorimi i hapësirës ajrore të Estonisë për "për udhëtim deri në Moskë për paradën e 9 Majit".
"Estonia nuk ka ndërmend ta mbështesë ngjarjen në asnjë mënyrë. Përveç kësaj, ne u theksuam kolegëve tanë nga Bashkimi Evropian se, meqenëse Rusia është vendi që filloi dhe vazhdon luftën në Evropë, pjesëmarrja në ngjarjet propagandistike të organizuara prej tyre duhet të përjashtohet", tha Ministria.
Sipas servisit radiodifuziv publik estonez ERR, autoritetet në Riga kanë refuzuar tashmë kërkesat nga Kuba dhe Brazili për të lejuar aeroplanët e liderëve të tyre të fluturojnë mbi hapësirën ajrore estoneze drejt Moskës.
Republika e tretë baltike, Letonia, tani për tani nuk ka paralajmëruar një ndalim të tillë, por ka thënë se pjesëmarrja në "ngjarjen propagandistik të Kremlinit më 9 Maj" është në kundërshtim të qartë me vlerat thelbësore të BE-së.
"Shoqëria letoneze ka një qëndrim të qartë si kristali: propaganda ruse dhe glorifikimi i krimeve të luftës nuk duhet të mbështeten ose inkurajohen. Rusia është një agresore dhe duhet të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për krimin e agresionit" bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e Letonisë.
Sipas paralajmërimeve, përveç presidentit bjellorus Aleksandar Lukashenko, Fico dhe Vuçiq do të jenë të vetmit udhëheqës evropianë që do të marrin pjesë në paradën ushtarake të nesërme në Moskë, që shënon Ditën e Fitores mbi Fashizmin.
Për shkak të luftës në Ukrainë, rrugët e fluturimit nga Evropa në Rusi mbi territorin ukrainas janë të kufizuara, kështu që aeroplanët duhet të fluturojnë në devijime përmes vendeve përreth.
Foto: Arkivi i MIA-s