• e enjte, 02 prill 2026

Limani: Shkëmbimet mes të rinjve janë investim në të ardhmen dhe çelës për mbajtjen e të rinjve në rajon

Limani: Shkëmbimet mes të rinjve janë investim në të ardhmen dhe çelës për mbajtjen e të rinjve në rajon

1 prill 2026

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, mori pjesë në eventin “Traditat që na lidhin: Duke ndërtuar të ardhmen së bashku”, e cila u realizua në kuadër të programit “Super - Shkollat” –iniciativë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e orientuar drejt përafrimit të të rinjve, lidhjes së tyre përtej kufijve dhe krijimit të miqësive të qëndrueshme.

Ngjarja u mbajt në ShMGj “Josip Broz Tito” – Shkup, si shkollë nikoqire, në prani të ambasadorëve të Bashkimit Evropian dhe të Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rohas dhe Petra Dreksler, Sekretarit të Përgjithshëm të RYCO-s, Vlladimir Obradoviq, Zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, drejtoreshës së shkollës Krzhovska, si dhe mysafirëve të tjerë të lartë.

Në kuadër të programit, nxënësit e shkollës “28 Nëntori” nga Shkodra, Shqipëri, po qëndrojnë për katër ditë në Shkup si mysafirë të bashkëmoshatarëve të tyre të “Josip Broz Tito-s”, duke vazhduar bashkëpunimin përmes shkëmbimit të dytë të nxënësve.

Në fjalimin e tij, ministri Limani theksoi rëndësinë e iniciativave të tilla për ndërtimin e besueshmërisë dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet të rinjve:

“Kur të rinjtë takohen, paragjykimet bien dhe lind besimi – themeli i çdo shoqërie të shëndetshme dhe të qëndrueshme. Prandaj, shkëmbimet e nxënësve janë investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen tonë të përbashkët, si dhe kanë vlerë reale për politikat që krijojmë”.

Ai theksoi se partneritetet e këtilla kontribuojnë në fitimin e përvojave të reja, zhvillimin e aftësive komunikuese, punën në ekip dhe krijimin e rrjeteve të miqësive të qëndrueshme ndërmjet të rinjve të rajonit.

Ministri u ndal edhe te sfidat demografike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rolin e programeve të tilla në tejkalimin e tyre:

“Rajoni përballet me sfida serioze – migracionin, zbrazjen e komuniteteve dhe humbjen e kapitalit njerëzor. Programet si “Super-Shkollat” e ndryshojnë këtë dinamikë. Ato krijojnë ndjenjë përkatësie, hapin perspektiva të reja dhe i motivojnë të rinjtë të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në vendet e tyre. Kur të rinjtë lidhen dhe ndihen të vlerësuar, rritet gjasa që ata ta ndërtojnë të ardhmen e tyre pikërisht këtu, në rajon”.

Limani shprehu falënderim ndaj Bashkimit Evropian, Ambasadës së Gjermanisë, GIZ-it, RYCO-s, si dhe ndaj të gjithë partnerëve dhe mbështetësve të iniciativës, me theks të veçantë te të rinjtë si nxitës të ndryshimeve.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor nuk do të ndërtohet vetëm nga institucionet – atë do ta ndërtoni ju, bashkërisht” – porositi, ministri Limani.

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve

QËNDRONI TË LIDHUR