Limani: Logjike që zgjedhjet e përsëritura duhet të mbahen me të njëjtët kandidatë
- U.D. kryetari i Gostivarit dhe kandidati i AKI-së në zgjedhjet e 19 tetorit, Valbon Limani, deklaroi në emisionin Stadion të Kanal 77 se koncepti i “zgjedhjeve të përsëritura” nënkupton domosdoshmërinë e zhvillimit të garës me të njëjtët kandidatë si në raundin e parë.
- Post By Fitore Curri
- 12:35, 15 nëntor, 2025
Shkup, 15 nëntor 2025
U.D. kryetari i Gostivarit dhe kandidati i AKI-së në zgjedhjet e 19 tetorit, Valbon Limani, deklaroi në emisionin Stadion të Kanal 77 se koncepti i “zgjedhjeve të përsëritura” nënkupton domosdoshmërinë e zhvillimit të garës me të njëjtët kandidatë si në raundin e parë.
Ai theksoi se interpretimet juridike që ka marrë nga ish-gjyqtarë dhe ekspertë të së drejtës konfirmojnë se rregullat duhet të jenë të njëjta për të gjithë.
“Nuk mund të ndodhë që unë të kërkoj census prej 17 mijë votash më 19 tetor, ndërsa një kandidat i ri, i cili nuk ka qenë pjesë e garës, të bëhet kryetar komune me 5 mijë vota pa asnjë census. Kjo e cenon barazinë dhe e shtrembëron demokracinë”, u shpreh Limani.
Ai kërkoi qartësi nga institucionet dhe paralajmëroi se ndryshimi i parimeve të garës do të hapte dyer të rrezikshme për manipulim politik.
⸻
Limani: Maqedonia dhe Bullgaria të vetmet në rajon me census për kryetar komune
Në intervistën e tij, Limani vuri në dukje një tjetër absurditet: ekzistencën e censusit vetëm për zgjedhjen e kryetarit të komunës, ndërsa ai nuk aplikohet për listën e këshilltarëve.
Ai theksoi se kjo praktikë është e izoluar dhe nuk ekziston në asnjë shtet tjetër të rajonit apo të Bashkimit Evropian.
“Asnjë vend tjetër përveç Maqedonisë dhe Bullgarisë nuk kërkon census në zgjedhjet lokale. E në Bullgari censusi është i qartë dhe ka rregulla të unifikuara për të dy raundet. Tek ne, jo vetëm që është i paqartë, por edhe i padrejtë”, deklaroi ai.
Sipas tij, duhet një harmonizim me standardet evropiane në mënyrë që proceset zgjedhore të jenë të barabarta dhe të drejtëpërdrejta.
⸻
Limani: Për mua, Gostivari dhe gostivarasit janë në rend të parë
U.D. kryetari i Gostivarit, Valbon Limani, u zotua se pavarësisht situatës së tensionuar politike dhe paqartësive rreth zgjedhjeve të përsëritura, institucionet komunale do të vazhdojnë të funksionojnë pa pengesa.
Ai theksoi se Këshilli Komunal do të vazhdojë punën me afatet ligjore, buxhetet dhe programet vjetore, ndërsa ai vetë do të sigurojë që asnjë proces të mos ngadalësohet.
“Sa të jem këtu, nuk do të lejoj që qytetarët të vuajnë nga lojërat politike. Qoftë me një të emëruar nga qeveria apo pa të, unë do të siguroj që çdo proces dhe çdo shërbim të funksionojë siç duhet. Për mua, Gostivari dhe gostivarasit janë në radhë të parë.”
Valbon Limani, kandidat i AKI-së për kryetar komune në Gostivar
____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.
Foto: ASH