"Lidl" është në proces të vendosjes së bashkëpunimit me kompanitë maqedonase
- Zëvendësministri i Ekonomisë, Marjan Risteski sot është takuar me menaxhmentin e kompanisë gjermane "Lidl", e cila është në fazë të ndërtimit të marketeve në disa lokacione në vend dhe të një qendre logjistike në zonën industriale në Kumanovë.
- Post By Melahat Baftija
- 17:28, 29 maj, 2025
Shkup, 29 maj 2025 (MIA) - Zëvendësministri i Ekonomisë, Marjan Risteski sot është takuar me menaxhmentin e kompanisë gjermane "Lidl", e cila është në fazë të ndërtimit të marketeve në disa lokacione në vend dhe të një qendre logjistike në zonën industriale në Kumanovë.
Në takim, siç njoftoi Ministria e Ekonomisë, është biseduar për dinamikën e realizimit të investimit të kësaj kompanie gjermane, ndërsa është theksuar se kompania është në proces të vendosjes së bashkëpunimit me një numër të madh të kompanive vendore, produktet e të cilëve do të jenë pjesë e asortimanit të "Lidl".
Zëvendësministri i Ekonomisë ka potencuar se Qeveria qëndron në dispozicion për tejkalimin e të gjitha çështjeve dhe vështirësive eventuale, me të cilat do të përballeshin gjatë aktiviteteve të tyre.
"Ai shprehu shpresë që marketet të hapen sa më shpejt që të jetë e mundur, gjë që do t'i mundësonte tregut maqedonas të ketë produkte me standarde evropiane dhe çmime të pranueshme për qytetarët tanë, si dhe për përfaqësimin sa më të madh të produkteve vendase në marketet e tyre në Maqedoni dhe rajon", informoi Ministria e Ekonomisë.
Në takim nga ana e kompanisë gjermane ishin të pranishëm Milena Dragiska-Dençeva, drejtoreshë kryesore ekzekutive e "Lidl" - Bullgari, Rubrian Haxhiev, drejtor kryesor operativ i "Lidl" për Maqedoninë dhe Teodora Haxhi-Dimova Tanaskoska, drejtoreshë për resurse njerëzore në "Lidl" - Maqedoni.
"Lidl" është zinxhiri më i madh evropian për shitje me pakicë të ushqimeve, i përfaqësuar në 31 vende me rreth 12.000 dyqane dhe më shumë se 360.000 punëtorë. mb/
Foto: Ministria e Ekonomisë