Lideri i PDK-së Krasniqi në mënyrë kategorike mohon koalicionin me Vetëvendosjen
- Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, mbrëmë në mënyrë kategorike e ka mohuar mundësinë për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje (VV).
- Post By Qefsere Abduli
- 09:57, 28 shkurt, 2025

Prishtinë, 28 shkurt 2025 (MIA) - Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, mbrëmë në mënyrë kategorike e ka mohuar mundësinë për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje (VV).
Sipas tij, nuk ka asnjë pikë të përbashkët mes dy partive që do t’i bashkonte në një qeverisje të mundshme.
Ai tha se dallimet mes dy partive janë të thella, si në qasjen politike ashtu edhe në vizionin për të ardhmen. "Nuk shkojmë në koalicion. Pikë. Nuk bëjmë koalicion me Vetëvendosjen, sepse nuk na lidh asgjë. Nuk kemi pika që do të na bindin", deklaroi Krasniqi për RTV Dugagjinin.
Ai shtoi se PDK-ja nuk do të pranojë koalicion me LVV-në edhe nëse iu ofrohet posti i kryeministrit.
“S’ka koalicion në mes PDK-së dhe Vetëvendosjes, në asnjë formë”, ka shtuar Krasniqi.
Tre javë pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, sipas rezultateve ende paraprake, bazuar në numërimin e votave të rregullta në Kosovë, fitues është Vetëvendosja me 40,80 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05 për qind.
Në vendin e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17, 64 për qind, ndërsa AAK-Nisma ka siguruar 7.46 për qind të votave.
Pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 9 shkurt të vitit 2025, partitë opozitare shprehën qëndrime të ndryshme për mundësinë e koalicioneve.
Deri në numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, vota postare, vota me kusht dhe vota e personave me aftësi të kufizuara, nuk do të dihen rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet parlamentare dhe cilat janë zgjidhjet e mundshme për krijimin e një qeverie të re të Kosovës.
Shtatëdhjetë për qind e votave të numëruara nga qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Kosovës tregojnë se Vetëvendosje atje ka marrë mbështetje bindëse (81,97 për qind të votave). qa/
Foto: Arkivi i MIA-s