• e mërkurë, 21 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Liderët nga rajoni shprehin ngushëllime për vdekjen e Papa Françeskut

Liderët nga rajoni shprehin ngushëllime për vdekjen e Papa Françeskut

Romë, 21 prill 2025 (MIA) - Krerët shtetërorë nga rajoni në rrjetet sociale kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Papa Françeskut. Kreu i Kishës Katolike Romake vdiq sot në mëngjes në moshën 88-vjeçare.

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj në publikimin në X ka shkruar: "Shenjtëria e tij, Papa Frençesku, sot u ngjit në qiell, pranë Atit, për të çuar në qiell atë që la trashëgimi në tokë, dhembshurinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj çdo njeriu, çdo besimtari e çdo feje. Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona. I bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe!”.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama përmes publikimit në Fejsbuk i ka shprehur homazhe Papa Françeskut, ku ka ngjitur një fotografi, në të cilën Papa mban një plis me shqiponjë dykrenare në të.

"Lamtumirë, At i Shenjtë, mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë", ka shkruar Rama.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në X ka shkruar se populli i Republikës së Kosovës u bashkangjitet miliona njerëzve mbarë botën, të cilët shprehin keqardhje për vdekjen e Papa Françeskut, të cilin e ka përshkruar si  një lider të jashtëzakonshëm shpirtëror, që me përulësinë dhe dashurinë e tij të pakufijshme, frymëzoi botën.

“‘Do të vij në Kosovë’, ishte premtimi i Papa Françeskut gjatë audiencës që kisha me të në Selinë e Shenjtë, duke treguar sa shumë dashuri kishte për vendet më të vogla, sidomos për popullin e përvuajtur të Kosovës. Këtë vizitë, fatkeqësisht nuk arriti ta realizojë, sepse Shenjtëria e Tij, Papa Françesku kaloi në amshim”, shkroi Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka shkruar se të hënën pas Pashkëve, "një ditë shprese dhe ripërtëritjeje për të krishterët anembanë botës, vajtojmë ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut".

"Trashëgimia e tij e përulësisë, drejtësisë dhe dhembshurisë do të jetojë përgjithmonë. Në emër të popullit të Kosovës, shpreh ngushëllimet tona më të thella. U prehtë në paqe”, ka shkruar Kurti.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shkroi në X se ishte “thellësisht i pikëlluar” nga lajmi për vdekjen e Papa Françeskut.

"Papa Françesku nuk ishte vetëm një burrështetas i respektuar, por edhe një udhëheqës shpirtëror që respektonte rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe i kushtonte gjithmonë vëmendje krizave humanitare, veçanërisht çështjes palestineze dhe gjenocidit në Gazë”, shkroi Erdogan, duke shprehur ngushëllimet në emër të gjithë Turqisë.

Në emër të Qeverisë kroate, kryeministri Andrej Plenkoviq shprehu ngushëllime të thella për vdekjen e Papa Françeskut, njoftoi HINA.

Plenkoviq theksoi se jeta dhe rruga shpirtërore e Françeskut "lanë një trashëgimi të përhershme në botën e sotme" dhe se populli kroat "i cili ndjeu afërsi dhe respekt të thellë për Papa Françeskun që nga fillimi i pontifikatës së tij, tani vajton për humbjen e një njeriu me besim, thjeshtësi, modesti dhe forcë". bsh/

Foto: Vatikan Njuz

QËNDRONI TË LIDHUR