Liderët e Kinës dhe Rusisë biseduan për situatën në Lindjen e Afërt
- Presidentët e Kinës dhe Rusisë, Si Xhinping dhe Vlladimir Putin, sot biseduan në telefon për situatën jostabile në Lindjen e Afërt, kumtuan mediumet kineze.
- Post By Arta Bunjaku
- 11:33, 20 qershor, 2025
Pekin, 20 qershor 2025 (MIA) - Presidentët e Kinës dhe Rusisë, Si Xhinping dhe Vlladimir Putin, sot biseduan në telefon për situatën jostabile në Lindjen e Afërt, kumtuan mediumet kineze.
Putini e prezantoi qëndrimin e Rusisë për situatën në Lindjen e Afërt, duke cekur se sulmi izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane është "shumë i rrezikshëm" dhe se skalimi i konfliktit "nuk është në interes të asnjërës palës", thuhet në kumtesë.
"Çështja bërthamore iraniane duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe negociatave. Të dy vendet duhet ta kenë parasysh sigurinë e qytetarëve të vendeve të treta. Situata në rjaon vazhdon të zhvillohet shpejtë, ndërsa Rusia është e gatshme të mbajë komunikim të ngushtë me Kinën, me qëllim që bashkarisht të kontribuojnë për qetësimin e tensioneve", tha Putini.
Si Xhinping i shpalosi parimet dhe qëndrimin e Kinës, duke cekur se situata në Lindjen e Afërt është "mjaft kritike" dhe se kjo "edhe njëherë konfirmon se bota po hyn në një periudhë të re të destabilitetit".
"Nëse konflikti eskalon plotësisht, jo vetëm që të dyja palët do të pësojnë humbje të mëdha, por edhe vendet në rajon do të pësojnë shumë", tha lideri kinez.
Si tha se është urgjentisht e domosdoshme të promovihet ndërprerja e zjarrit mes Iranit dhe Izraelit.
"Lufta nuk është mënyra e vërtetë për zgjidhje të kontesteve ndërkombëtare, sepse vetëm i thellon urrejtjen dhe kundërthëniet. Palët në konflikt, posaçërisht Izraeli, duhet sa më parë ta ndërprejnë zjarrin në mënyrë që të parandalohet eskalimi i mëtutjeshëm", tha Si.
Ai tha se nevojitet të kihet parasysh siguria e civilëve dhe se "linja e kuqe për mbrojtjen e civilëve në konfliktet ushtarake nuk guxon të kalohet".
"Palët në konflikt duhet strikt ta respektojnë të drejtën ndërkombëtare, me vendosmëri të evitojnë rrezikimin e civilëve dhe të sigurojnë evakuim të sigurt të shtetasve të vendeve të treta", shtoi ai.
Presidenti kinez, gjithashtu, tha se komunikimi dhe dialogu janë "mënyra e vërtetë për arritjen e paqes së përhershme".
"Duhet t'i bashkangjitemi në mënyrë të paluhatshme kahjes së përgjithshme të zgjidhjes politike të çështjes bërthamore iraniane dhe të insistojmë në promovimin e kthimit të çështjes bërthamore në rrugën e zgjidhjes politike përmes dialogut dhe negociatave", tha Si.
Ai, gjithashtu, theksoi se nevojiten përpjekje të komunitetit ndërkombëtar për promovim të paqes dhe se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara "duhet të luajë tol proaktiv" në qetësimin e situatës në Lindjen e Afërt.
Dy liderët, gjithashtu, biseduan për besim të ndërsjelltë politik dhe bashkëpunim strategjik të nivelit të lartë mes Kinës dhe Rusisë dhe u dakorduan të mirëmbajnë këmbime të ngushta në nivel të lartë dhe ta promovojnë bashkëpunimin në sfera të ndryshme dhe zhvillim të thellësishëm të partneritetit gjithpërfshirës strategjik. ab/
foto: ЕPА