• e premte, 05 dhjetor 2025

Liderët botërorë e uruan papën e ri

Liderët botërorë e uruan papën e ri

Romë, 9 maj 2025 (MIA) - Liderët botërorë e uruan kreun e sapozgjedhur të Kishës katolike, Leo XIV, mes të cilëve presidenti rus, Vlladimir Putin, presidenti francez dhe ai izraelit, si dhe lideri ukrainas, Volodimir Zelenski.

Presidenti rus, Vlladimir Putin e uroi papën e ri, Leo XIV, papën e parë me prejardhje amerikane, dhe shfaqi bindje se do të vazhdojë bashkëpunimi konstruktiv mes Moskës dhe Vatikanit.

Presidenti izraelit, Isak Hercog shfaqi shpresë për lidhje më të fuqishme mes vendit të tij dhe Fronit të shenjtë pas zgjedhjes së papës së ri.

Presidenti francez, Emanuel Makron bëri thirrje që "pontifikati i ri të sjellë paqe dhe shpresë", njëkohësisht derisa dje në Evropë shënohej 80-vjetori i fundit të Luftës së Dytë Botërore, dhe në platformën X, Leos XIV dhe "të gjithë katolikëve në Francë dhe botë" u dërgoi "porosi vëllazërore".

Edhe presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski e uroi papën e ri, duke shfaqur shpresë se Vatikani do të vazhdojë "moralisht dhe shpirtërisht" ta mbështesë Kievin në mënyrë që "sërish të vendoset drejtësia dhe të arrihet paqja e qëndrueshme" me Moskën.

Kancelari i ri gjerman, Fridrih Merc e uroi papën Leo XIV shumë shpejtë pas zgjedhjes.

"Me marrjen e detyrës suaj, ju i jepni shpresë dhe udhëzime miliona besimtarëve në mbarë botën në këto kohë të vështira", thuhet në kumtesën e tij për shtyp.

Kryeministri britanik, Kir Starmer tha se me padurim pret të bashkëpunojë me kreun e ri të Kishës katolike.

"Zgjedhja e papës Leo XIV është moment i gëzimit të thellë për katolikët në Mbretërinë e Bashkuar dhe në tërë botën", tha ai.

Kryeministrja italiane, Xhorxha Meloni e prëshëndeti fjalimin e papës Leo XIV, duke thënë se ai është "thirrje e fuqishme për paqe, vëllazëri dhe përgjegjësi".

Kryeministri spanjoll, socialisti Pedro Sançez shfaqi shpresë se amerikani Robert Frensis Prevost, papa i sapozgjedhur Leo XIV, do të arrijë të kontribuojë për "përforcim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut".

Pak kohë pas zgjedhjes, papës së ri urim i dërgoi edhe presidenti polak, Andzhej Duda, duke porositur se vendi i tij tradicionalisht katolik është "i përgatitur t'i përforcojë" "lidhjet e veta unikate" me Kishën. ab/

Fotо: ЕPА

QËNDRONI TË LIDHUR