Liderë të 19 vendeve paralajmëruan praninë e tyre në Paradën e fitores në Moskë
- Në 80 vjetorin e fitores së Luftës së Dytë Botërore e cila do të shënohet më 9 maj në Moskë, pritet të marrin pjesë liderë nga 19 vende, ndërsa edhe dy liderë të tjerë kanë marrë ftesa, por ende nuk është konfirmuar prania e tyre.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:50, 29 prill, 2025

Moskë, 29 prill 2025 (MIA) - Në 80 vjetorin e fitores së Luftës së Dytë Botërore e cila do të shënohet më 9 maj në Moskë, pritet të marrin pjesë liderë nga 19 vende, ndërsa edhe dy liderë të tjerë kanë marrë ftesa, por ende nuk është konfirmuar prania e tyre.
Në mesin e të ftuarve të konfirmuar janë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, presidenti kinez Si Xhinping, presidenti sllovak Robert Fico, presidenti bjellorus Aleksandar Lukashenko, presidenti i Venezuelës Nikollas Maduro, presidenti brazilian Luiz Ignasio Lula da Silva dhe të tjerë.
Në paradë do të marrin pjesë edhe presidentët e Burkina Fasos, Vietnamit, Kubës, Abhazisë, Azerbajxhanit, Palestinës, Taxhikistanit, Turkmenistanit, Kazagistanit, Kirgistanit, Uzbekistanit dhe Armenisë.
Sekretari i përgjithëm i KB-së, Antonio Guteresh nuk do të marrë pjesë në ngjarje.
Parada e fitores u bë traditë pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Parada e parë, në nderë të 50 vjetorit të fitores së Luftës së Dytë Botërore u mbajt në vitin 1995 dhe që atëherë paradat mbahen çdo vit.
Në atë ngjarje kishin marrë pjesë shumë liderë nga 50 vende, përfshirë persona zyrtarë nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania.
Pas vitit 1995, paradat u bënë të rregullta dhe me kalimin e viteve në to kanë marrë pjesë disa udhëheqës të lartë të huaj.
Ndër të ftuarit më të shquar kanë qenë Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Butros Gali, presidentët e SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë, si dhe udhëheqës të vendeve të tjera, përfshirë kryeministrin e Kanadasë, kryeministrin britanik dhe udhëheqësit e vendeve të ish Bashkimit Sovjetik.
Çdo vit, me praninë e delegacioneve politike dhe ushtarake, zhvillohen diskutime rreth rëndësisë historike dhe strategjike të 9 majit, ndërsa festimet shënohen me një paradë ushtarake dhe zjarr artilerie në Sheshin e kuq. qa/
Foto: arkivi i MIA-s