Libani paralajmëroi Hamasin të mos e rrezikojë sigurinë kombëtare me operacione në territorin e tij
- Libani paralajmëroi grupin militant palestinez Hamas të mos kryejë operacione të cilat mund ta kërcënojnë sigurisë dhe sovranitetin e këtij vendi, kumtoi sot Këshilli i Lartë për Mbrojtje të Libanit.
- Post By Sara Ademi
- 17:08, 2 maj, 2025
Bejrut, 2 maj 2025 (MIA) - Libani paralajmëroi grupin militant palestinez Hamas të mos kryejë operacione të cilat mund ta kërcënojnë sigurisë dhe sovranitetin e këtij vendi, kumtoi sot Këshilli i Lartë për Mbrojtje të Libanit.
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, Mohamed al-Mustafa, tha se Këshilli do t'i rekomandojë Qeverisë libaneze një seri vendimesh, duke përfshirë edhe paralajmërimin për Hamasin të mos e përdorë territorin libanez për kryerjen e çdo lloj aktiviteti që rrezikojnë sigurinë kombëtare në Liban, raportuan mediat britanike.
Presidenti libanez Xhozef Aun, i cili më parë ishte kryeshef i Armatës, është zotuar të vendosë të gjitha armët në vend nën kontrollin e shtetit.
"Presidenti theksoi refuzimin e Libanit për t'u përfshirë në konflikte rajonale, duke theksuar vlerën e të drejtave palestineze, por pa rrezikuar stabilitetin libanez", tha Mustafa për gazetarët pas mbledhjes së Këshillit.
Ai, gjithashtu, theksoi nevojën të dorëzohen armët ilegale dhe të parandalohet Hamasi ose ndonjë fraksion tjetër ta kërcënojë sigurinë kombëtare dhe stabilitetin e Libanit, citohet në kumtesën e Këshillit. sa/
foto: Arkivi i MIA-s