Libani filloi me kthimin e refugjatëve sirianë
- Libani filloi kthimin e parë të refugjatëve sirian nën udhëheqësinë e Kombeve të Bashkuara, ndërsa sipas ministres libaneze për punë sociale Hanin Sajed, të kthyerve do t'u paguhen 100 dollarë për person në Liban dhe 400 dollarë për familje pas arritjes në Siri.
- Post By Sara Ademi
- 17:12, 9 korrik, 2025
Bejrut, 9 korrik 2025 (MIA) - Libani filloi kthimin e parë të refugjatëve sirian nën udhëheqësinë e Kombeve të Bashkuara, ndërsa sipas ministres libaneze për punë sociale Hanin Sajed, të kthyerve do t'u paguhen 100 dollarë për person në Liban dhe 400 dollarë për familje pas arritjes në Siri.
Mediat britanike njoftojnë se në fazën e parë është planifikuar deri në fund të vitit të kthehen deri në 400.000 persona, me mbështetje financiare dhe logjistike nga organizatat ndërkombëtare.
Grupi i parë prej rreth 11.000 sirianëve tashmë është regjistruar për kthim.
Plani është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e reja në Damask, të cilat pohojnë se të gjithë sirianët janë "të mirëseardhur në vend" pavarësisht dëmeve të shumta të luftës dhe sfidave të vazhdueshme të sigurisë.
Hulumtimi më i ri i KB-së tregon se nga rënia e ish presidentit sirian Bashar al Asad në dhjetor të vitit 2024 dhe ardhja e qeverisë së re islamike, numri i refugjatëve të interesuar për t'u kthyer dukshëm është rritur - nga dy për qind në 30 për qind.
Pavarësisht këtij procesi, UNHCR paralajmëron se disa pjesë të mëdha të Sirisë ende janë në rrënoja, ndërsa më shumë se shtatë milionë njerëz mbesin të zhvendosur brenda vendit.
Edhe pse nga dhjetori i vitit të kaluar më shumë se 628.000 sirianë braktisën vendet në rajon dhe u kthyen në Siri, duke përfshirë edhe 191.000 përmes Libanit, shumë prej tyre ende hezistojnë për shkak të kushteve të pasigurta.
Libani, i cili pranoi rreth 1,5 milionë refugjatë sirianë gjatë dekadës së kaluar dhe vetë përballet me krizë ekonomike dhe pasoja nga lufta me Izraelin në vitin 2024, këtë plan e sheh si lehtësim, theksojnë mediat britanike.
Fokusi për momentin është në kampet për zhvendosje, por autoritetet njoftojnë edhe mundësi për leje pune për disa anëtarë të familjes që mbesin.
Megjithatë, ndërsa mijëra sirianë po largohen nga Libani, raportet tregojnë se më shumë se 106,000 njerëz nga Siria, veçanërisht nga komunitetet alevite, vazhdojnë të ikin në Liban për shkak të përshkallëzimit të dhunës në rajone të caktuara. sa/
foto: MIA