Lekornu kërkon që Makron të emërojë kryeministër të ri brenda 48 orëve
- Kryeministri francez në dorëheqje, Sebastien Lekornu, i propozoi sonte presidentit Emanuel Makron të emërojë pasardhësin e tij brenda 48 orëve.
Paris, 8 tetor 2025 (MIA) – Kryeministri francez në dorëheqje, Sebastien Lekornu, i propozoi sonte presidentit Emanuel Makron të emërojë pasardhësin e tij brenda 48 orëve.
"Perspektivat për të shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare po zvogëlohen", deklaroi Lekornu.
Këtë mëngjes, pas bisedimeve me përfaqësuesit e partive politike, ai deklaroi se nuk ka gjasa që Parlamenti të shpërbëhet.
Lekornu i cili dha dorëheqjen tre ditë më parë të hënën, njoftoi se sonte do të takohet me presidentin Emanuel Makron për të shqyrtuar rezultatet e bisedimeve me partitë.
Makron e ngarkoi Lekornun, 39 vjeç, të formojë qeveri në fillim të shtatorit, pasi parlamenti rrëzoi paraardhësin e tij për shkak të një buxheti jopopullor për kursim. Ai zbuloi një kabinet të ri më 5 tetor, por u kritikua për përfshirjen e anëtarëve të qeverisë së mëparshme. Të nesërmen Lekornu dha dorëheqje, por pranoi detyrën e Makroni të kushtojë dy ditë në përpjekje për të shpëtuar administratën e tij.
Franca është në krizë politike për më shumë se një vit, pasi Makroni shpalli zgjedhje të parakohshme në mesin e vitit 2024, duke rezultuar në një parlament të bllokuar pa shumicë të qartë. Kjo është kriza më e thellë politike e Republikës së Pestë që nga viti 1958.
Kriza është përkeqësuar më tej nga borxhi publik rekord i Francës prej 3,4 trilionë euro, i treti më i madh në Bashkimin Evropian pas Greqisë dhe Italisë. Raporti i borxhit ndaj PBB-së është afërsisht dyfishi i limitit prej 60 për qind të lejuar sipas rregullave të BE-së, duke krijuar një presion të madh për masa urgjente ekonomike.
Lekornu është kryeministri i tretë i Makron që nga zgjedhjet e parakohshme, dhe dy paraardhësit e tij, Fransua Bajru dhe Mishel Barnie, u shkarkuan nga Parlamenti pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve mbi buxhetin për kursim.
Kriza ndodh përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027, të cilat pritet të jenë një pikë kthese historike, duke pasur parasysh që Marin Le Pen dhe partia e saj e ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar, kryeson në shumicën e sondazheve. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s