Lavrovi: Rusia është gati të marrë uraniumin e pasuruar shumë nga Irani dhe ta përpunojë
- Shefi i diplomacisë ruse Sergej Lavrovi sot deklaroi se Rusia është e gatshme të marrë uranium të pasuruar shumë nga Irani dhe ta përpunojë për përdorim në centralet bërthamore, si dhe të ndërmjetësojë midis SHBA-së dhe Iranit, nëse Teherani shpreh një dëshirë të tillë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 20:49, 7 korrik, 2025
Rio de Zhajnero, 7 korrik 2025 (MIA) - Shefi i diplomacisë ruse Sergej Lavrovi sot deklaroi se Rusia është e gatshme të marrë uranium të pasuruar shumë nga Irani dhe ta përpunojë për përdorim në centralet bërthamore, si dhe të ndërmjetësojë midis SHBA-së dhe Iranit, nëse Teherani shpreh një dëshirë të tillë.
Lavrovi kujtoi se Presidenti rus Vladimir Putini paraprakisht kishte theksuar gatishmërinë e Rusisë për të ndihmuar në përpunimin e uraniumit të pasuruar të akumuluar në Iran në nivelin e nevojshëm për përdorim për qëllime energjetike, madje edhe para përfundimit të marrëveshjes bërthamore me Iranin, i ashtuquajturi Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, raportuan mediat ruse.
Shefi i diplomacisë ruae shpjegoi se, meqenëse çështja e kufizimit të pasurimit të uraniumit deri vonë ishte përfshirë në negociatat midis SHBA-së dhe Iranit, Moska u kujton negociatorëve se posedon aftësi të tilla teknologjike.
"Jemi të gatshëm të marrim uraniumin e pasuruar të tepërt nga Irani dhe ta përpunojmë atë në Rusi, dhe pastaj ta kthejmë atë në Teheran për ta përdorur në reaktorët e tij bërthamorë", tha Lavrov, i cili po merr pjesë në samitin e BRIKS në Brazil.
Rusia, shtoi, dëshiron të ndihmojë në afrimin e qëndrimeve të aktorëve, nëse kjo i përshtatet, dhe kjo varet kryesisht nga Teherani.
Sipas tij, SHBA tani duan të vazhdojnë dialogun me Iranin, ndërsa Omani dhe disa vende të tjera arabe të Gjirit Persik kanë ndihmuar në këtë.
Lavrovi kujtoi se Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit mbi programin bërthamor të Iranit, nga i cili SHBA u tërhoq në vitin 2018, është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, SHBA-së, Rusisë, Kinës dhe Iranit.
Foto: EPA