• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Lavrov: Rusia e përsëriti qëndrimin e saj për Ukrainën në bisedën me Rubion

Lavrov: Rusia e përsëriti qëndrimin e saj për Ukrainën në bisedën me Rubion

Kuala Lumpur, 11 korrik 2025 (MIA) - Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov deklaroi se në mbledhjen me sekretarin amerikan të shtetit, Marko Rubio në Malajzi përsëri ka sqaruar pozicionin rus për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, bazuar në qëndrimet e mëparshme të presidentit Vladimir Putin.

"Kemi biseduar për Ukrainën. E konfirmuam qëndrimin që e prezantoi presidenti Putin, përfshirë edhe më 3 korrik gjatë bisedës me presidentin (Donald) Tramp", deklaroi Lavrov në konferencën për mediat pas forumit rajonal në ASEAN. 

Lavrov theksoi se i kishte dorëzuar Rubios pjesë nga deklaratat e përfaqësuesve ukrainas, mes të cilëve edhe presidenti Volodimir Zelenksi, që, sipas tij, bëjnë thirrje për "shkatërrimin e rusëve". 

Ai vlerësoi se Ukraina dëshiron të shtypë të drejtat ruse dhe popullatës rusishtfolëse dhe të eleminojë të gjithë ata që nuk pajtohem me, siç tha, regjimin e Kievit. 

Dy takime u mbajtën mes Lavrovit dhe Rubios në margjinat e takimeve të ministrave të jashtëm në kuadër të Samitit të Azisë Lindore dhe Forumit të Sigurisë të ASEAN. 

Rubio deklaroi se ka biseduar me Lavrovin për qasje të re në bisedimet e paqes për Ukrainën. 

"Mendoj se kjo është një qasje e re dhe ndryshe. Nuk do të thoja që garanton paqe, por ky është koncept që do t'ia paraqes presidentit", tha Rubio në Kuala Lumpur.

Ai shtoi se presidenti amerikan, Donald Tramp është "i zhgënjyer dhe i frustruar nga mungesa e fleksibilitetit nga pala ruse" për armëpushim.

MPJ ruse njoftoi se të dy diplomatët kanë biseduar edhe për normalizimin e misioneve diplomatike, si dhe për situatën në Iran, Siri dhe marrëdhëniet dypalëshe. qa/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR