• e premte, 05 dhjetor 2025

Lavrov: Rusia dhe SHBA-ja mund të kenë interesa të përbashkëta ekonomike

Lavrov: Rusia dhe SHBA-ja mund të kenë interesa të përbashkëta ekonomike

Moskë, 8 shtator 2025 (MIA) - Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov sot deklaroi se Rusia dhe SHBA-ja mund të kenë interesa të përbashkëta ekonomike, duke përfshirë prodhimin e gazit natyror të lëngshëm, bashkëpunimin në Arktik, si dhe në Hapësirë.

Duke iu drejtuar studentëve dhe mësuesve në Institutin Shtetëror për marrëdhënie ndërkombëtare të Moskës (MGIMO), Lavrov tha se Rusia dëshiron bashkëpunim më të barabartë me Uashingtonin dhe se Shtetet e Bashkuara po tregojnë një interes të ngjashëm.

Ai vlerësoi se SHBA-ja ka filluar të dëgjojë Rusinë kur bëhet fjalë për shkaqet e luftës në Ukrainë, duke përfshirë, siç tha, "shfarosjen legjislative të gjithçkaje ruse" në atë vend - gjuhën, median, kulturën dhe arsimin, si dhe ndalimin e Kishës Ortodokse Kanonike të Ukrainës.

Lavrov kujtoi gjithashtu bisedimet midis presidentëve rusë dhe amerikanë, Vladimir Putin dhe Donald Trump, të mbajtura në mesin e gushtit në Alaska, të cilat, sipas tij, treguan se Tramp e kupton nevojën për të zgjidhur krizën ukrainase bazuar në respektimin e interesave kombëtare të të gjitha palëve.

Ministri rus theksoi se kërkesat perëndimore për të hequr dorë nga burimet energjetike ruse po dëmtojnë ekonominë botërore, por se vende të tilla si Brazili, India dhe Kina nuk janë tërhequr nga interesat e tyre dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë me Rusinë.

Ai shtoi se pavarësisht përpjekjeve të Perëndimit për të dobësuar Rusinë, vendi nuk është përpjekur kurrë të dëmtojë askënd, por përkundrazi - ka qenë gjithmonë i gatshëm për bashkëpunim të sinqertë. ls/

Foto: Arkiv 

 

QËNDRONI TË LIDHUR