• e shtunë, 23 nëntor 2024

Lavrov në Këshillin e Sigurimit të KB-së: Rreziku i një konflikti global po rritet

Lavrov në Këshillin e Sigurimit të KB-së: Rreziku i një konflikti global po rritet

Nju-Jork, 20 shtator 2023 (MIA) - Ministri rus i Punëve të Jashtme Sergej Lavrov iu drejtua Këshillit të Sigurimit të KB-së, ku po mbahet një seancë për Ukrainën, dhe paralajmëroi se rreziku i një konflikti global po rritet.

"Rreziku i konfliktit global po rritet. Pikërisht për këtë, për të reduktuar këtë rrezik dhe për t'i vënë ngjarjet në një rrugë paqësore, Rusia insistoi dhe këmbëngul që të gjitha parimet e Kartës së KB-së të respektohen dhe zbatohen, jo në mënyrë selektive, por plotësisht dhe në raport me njëri-tjetrin, duke përfshirë Parimet e barazisë sovrane të shteteve, mosndërhyrja në punët e tyre të brendshme, respektimi i integritetit territorial dhe e drejta e popullit për vetëvendosje", tha Lavrov.

Ai tha gjithashtu se sot Perëndimi po i drejtohet parimeve të Kartës së KB-së "vetëm në përputhje me nevojat e tij gjeopolitike egoiste dhe kjo çon në mënyrë të pashmangshme në destabilizimin global".

Lavrov theksoi se pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Perëndimi kolektiv, i udhëhequr nga SHBA-ja, "mori aktin e arbitrit të fateve të gjithë njerëzimit dhe i kapur nga kompleksi i përjashtimit, filloi të injorojë trashëgiminë e themeluesit e Kombeve të Bashkuara gjithnjë e më shumë”.

Sipas tij, mbështetja që Perëndimi i jep, siç tha ai, "regjimit në Kiev pas referendumit në Krime dhe Donbas është shkelje e parimit të vetëvendosjes".

Lavrov theksoi se Rusia nuk i refuzon negociatat për Ukrainën.

Duke iu drejtuar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Entoni Blinken, Lavrov kujtoi se presidenti ukrainas Volodimir Zelenski nënshkroi një dekret që ndalon negociatat.

"Nëse duan, SHBA-ja mund ta urdhërojnë Zelenskin të anulojë dekretin për ndalimin e dialogut me Moskën" tha ministri rus.

Kreu i diplomacisë ruse shtoi se Perëndimi shmang një diskutim thelbësor për shkaqet e konfliktit në Ukrainë, sepse nuk ka argumente të vlefshme.

"Sot, retorika e kundërshtarëve tanë përbëhet vetëm nga parullat: "pushtim", "agresion", "aneksim". Asnjë fjalë për shkaqet rrënjësore të problemit, se si ata e mbështetën me kujdes regjimin nazist për vite me rradhë, i cili rishikoi hapur rezultatet e Luftës së Dytë Botërore dhe historinë e popullit të vet. Një bisedë përmbajtësore, e bazuar në fakte dhe duke respektuar gjithçka që parashikohet në Kartën e KB-së – e shmang Perëndimi. Është e qartë se ata nuk kanë argumente të vlefshme", tha Lavrov.

Ai kujtoi se SHBA-ja dhe satelitët e tyre kanë ndërhyrë në mënyrë të vrazhdë dhe hapur në punët e brendshme të Ukrainës që nga rënia e LRSS-së.

"Perëndimi mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për shkatërrimin e Ukrainës dhe ndezjen e luftës civile", theksoi ai.

Ai kujtoi se në fund të vitit 2013, zëvendës sekretarja e shtetit Viktoria Nuland "pranoi publikisht se Uashingtoni shpenzoi pesë miliardë dollarë për të mbështetur përfaqësuesit perëndimorë në Kiev".

Të gjitha faktet për krizën ukrainase janë të njohura, vetëm ata po përpiqen t'i kalojnë ato, të anulojnë të gjithë historinë deri në vitin 2014, tha ai.

Lavrov gjithashtu theksoi se kreu i diplomacisë evropiane, Zhozep Borell, propozon që "nazistët të pranohen në Union me rregull, ndërsa Serbia dhe Turqia duhet të presin me dekada".

Sipas tij, Këshilli i Sigurimit të KB-së është i detyruar të vlerësojë pasojat humanitare të sanksioneve në vend që të shqyrtojë projekt-rezolutat për masat kufizuese.

Lavrov mbrojti gjithashtu të drejtën e Rusisë për të vënë veto në Këshillin e Sigurimit në përgjigje të thirrjes së Zelenskit për t'i hequr vendit këtë të drejtë për shkak të pushtimit të Ukrainës. sa/

Foto: MPJ e Rusisë në X

QËNDRONI TË LIDHUR