Lami: Rusia duhet të pranojë një “armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe të pakushtëzuar” në Ukrainë
- Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Lami, pas bisedimeve në Paris për Ukrainën me kolegët e tij amerikanë dhe evropianë, deklaroi se Rusia duhet të pajtohet për një “armëpushim urgjent, të plotë dhe të pakusht”, njofton DPA.
- Post By Fami Bajrami
- 09:41, 18 prill, 2025

Paris, 18 prill 2025 (MIA) - Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Lami, pas bisedimeve në Paris për Ukrainën me kolegët e tij amerikanë dhe evropianë, deklaroi se Rusia duhet të pajtohet për një “armëpushim urgjent, të plotë dhe të pakusht”, njofton DPA.
Lami ndau disa detaje rreth serisë së takimeve që u zhvilluan në kryeqytetin francez, por theksoi se bisedimet kanë vënë në pah angazhimin e përbashkët për sigurinë globale.
Delegacione nga Gjermania dhe Ukraina, duke përfshirë ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Andrij Sibiga dhe shefin e kabinetit të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, Andrij Jermak, ishin të pranishëm poashtu në Paris, si dhe sekretari amerikan i shtetit Marko Rubio dhe i dërguari i posaçëm i SHBA Stiv Uitkof.
"Në një botë të paqëndrueshme, uniteti është forca jonë. Takimet e sotme me Francën, SHBA-në, Ukrainën dhe Gjermaninë nënvizojnë angazhimin tonë të përbashkët për sigurinë globale. Patjetër të shohim një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë dhe stabilitet në Lindjen e Mesme. Po punojmë shumë me aleatët për të siguruar paqe të qëndrueshme në Ukrainë. Rusia duhet të pajtohet për një armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe të pakushtëzuar, siç ka bërë Ukraina", deklaroi ministri britanik.
Bisedimet për paqe të mundshme janë prolonguar që kur Moska refuzoi propozimin për armëpushim të negociuar nga SHBA-ja dhe Ukraina muajin e kaluar.
Rubio dhe Uitkof u takuan gjithashtu me presidentin e Francës, Emanuel Makron, ndërsa Departamenti i shtetit tha se bisedimet janë "për të çuar përpara qëllimin e presidentit Tramp për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe ndalimin e gjakderdhjes".
Foto: EPA