• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lajçak: Tensionet në Kosovë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut ekzistues

Lajçak: Tensionet në Kosovë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut ekzistues

Prishtinë, 31 maj 2023 (MIA) - I dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, për situatën në veri të Kosovës ka thënë se çështja nuk qëndron se kush e nisi, por sipas tij nëse kjo krizë në mes të dy shteteve fqinje nuk përfundon, të gjithë do të humbasin.

“Detyra jonë nuk është të vendosim se kush ka të drejtë ose kush e filloi, por t’i bëjmë Beogradit dhe Prishtinës të kuptojnë se janë përballë një ‘situate humbjeje’. Nëse nuk ka kthim në normalitet, të dy duhet të humbasin”, ka thënë Mirosllav Lajçak teksa ka komentuar situatën në veri të Kosovës.

Sipas tij, tani është koha për t’i ulur tensionet, teksa shton se nuk mund të ketë përshkallëzim dhe normalizim në të njëjtën kohë.

“Nuk mund të lejojmë që njerëz të vriten ose të plagosen, tani është koha për të ulur tensionet. Marrëveshjet që nënshkruam në shkurt dhe mars duhet të veprojnë si udhërrëfyes”, shtoi ai.

Teksa është pyetur se a është e vërtetë që përleshjet janë shkaktuar nga provokatorët serbë, të cilët kanë acaruar protestat, Lajçaku ka theksuar se ka versione të ndryshme se kush e nisi dhe padyshim që në turmë kishte provokatorë.

“Si gjithmonë në këto raste, por tani e rëndësishme është rivendosja e qetësisë”.

Lajçaku u pyet se çfarë roli luan fakti që presidenti serb Vuçiq është i kontestuar nga brenda për dhunën e regjimit të tij në tensionet aktuale mes Serbisë dhe Kosovës.

“Nuk dua të spekuloj, procesi politik serb ka dinamikën e vet të brendshme dhe ky është një front i ri. Të dyja situatat, ajo e brendshme serbe dhe ajo e përplasjeve në Kosovë, kërkojnë vëmendjen më të madhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ato duhen parë së bashku, por duhet të trajtohen veçmas”.

Po ashtu, ai nuk beson se marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të kenë të njëjtin fat si marrëveshjet e Minskut ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

“Jo, sepse këto janë marrëveshje shumë solide, ku proceset monitorohen vazhdimisht. Dhe pastaj sepse, ndryshe nga ato në Minsk, ato përcaktojnë jo vetëm marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe ndërmjet secilit prej dy aktorëve dhe Bashkimit Evropian: kjo krijon një nyje që vështirë të thyhet”.

Megjithatë, ai është shprehur i bindur se marrëveshjet do të zbatohen dhe se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian.

“Rusia gjithmonë përpiqet të futet në këto kriza me një çelës antiperëndimor, por ajo nuk ka aftësinë të propozojë një agjendë më të mirë për këtë fushë. Topi është tani në duart tona dhe në atë të aleatëve tanë, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe: Të gjithë jemi të bindur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian”.

Lajçak shtoi se Vuçiqi ka thënë vazhdimisht se objektivi i tij strategjik është ta sjellë Serbinë në Bashkimin Evropian. "Është e vërtetë se Serbia nuk votoi pro sanksioneve kundër Rusisë, por votoi së bashku me komunitetin ndërkombëtar në favor të mbrojtjes së integritetit territorial të Ukrainës. Nëse dëgjoni me kujdes atë që thotë Vuçiqi, dilema nuk ekziston: e ardhmja e Serbisë është një e ardhme evropiane", shtoi ai.

Kur pyetet se është e kapërcyeshme trashëgimia e së kaluarës, Lajçaku ka potencuar se ndonëse historia nuk mund të fshihet, megjithatë sipas tij gabimet e vjetra mund të shmangen.

“Ka ende shumë nga e kaluara në politikën e Ballkanit, veçanërisht ndjenja e padrejtësive të vuajtura. Historia nuk mund të fshihet, por gabimet e vjetra mund të shmangen. Ky proces mbështetet nga një angazhim i fortë nga komuniteti ndërkombëtar. Ne kemi vite që punojmë për standardizimin, jo nga dje”, përfundoi ai. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR