• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lajçak: Në Prishtinë u pajtuam për hapat e ardhshëm në dialogun me Beogradin

Lajçak: Në Prishtinë u pajtuam për hapat e ardhshëm në dialogun me Beogradin

Prishtinë, 7 nëntor 2023 (MIA) - Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, publikoi se me zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi ka arritur marrëveshje për hapat e ardhshëm në dialogun mes dy vendeve, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Lajçak dje vonë pasdite ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Kosovë, ku është takuar me Bislimin, pas së cilës mbrëmë në faqen e tij në platformën "X" ka publikuar se ka marrë konfirmim nga Prishtina se është e gatshme të vazhdojë dialogun me Beogradin.

“U takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, për ta informuar për takimin e fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe për nevojën e zbatimit të plotë të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit, pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm”, ka shkruar Lajçak.

Takimi mes Lajçakut dhe Bislimit u zhvillua pa praninë e mediave, ndërsa pas përfundimit të tij nuk pati as fjalim publik.

Me kumtesë u deklarua edhe shërbimi qeveritar për marrëdhënie me publikun, i cili theksoi se dipllomati sllovak dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë kanë diskutuar për aspektet që kanë të bëjnë me zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksin për zbatimin e rënë dakord në Ohër.

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pasur një darkë pune me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serb, Miroslav Lajçak. Në këtë takim u diskutuan të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit për zbatimin e saj. Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen reciproke, thuhet në kumtesën e qeverisë në Prishtinë.

Lajçak sot do të ketë takime edhe me liderët e partive opozitare në Kosovë, me të cilët pritet të diskutojë konkretisht për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Vizita e Lajçakut në Kosovë vjen dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takuan veçmas me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe zyrtarë të BE-së.

Para këtyre takimeve, pesë emisarë perëndimorë, të udhëhequr nga Lajcaku dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Xho Bajden për Ballkanin, Gabriel Eskobar, në Prishtinë dhe Beograd më 21 tetor, paraqitën draft-statutin e Asociacinoit të Komunave me shumicë serbe, për të cilin thanë se është një model modern europian dhe përmbajtja e të cilit ende nuk është publikuar. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR