Lagard: Tarifat amerikane do të kenë ndikim negativ ndaj gjithë botës
- Tarifat që Donald Tramp do t'i vendosë do të kenë pasoja negative përreth botës, paralajmëroi kryetarja e Bankës Qendrore Evropiane Kristin Lagard.
- Post By Sara Ademi
- 16:14, 2 prill, 2025

Frankfurt, 2 prill 2025 (MIA) - Tarifat që Donald Tramp do t'i vendosë do të kenë pasoja negative përreth botës, paralajmëroi kryetarja e Bankës Qendrore Evropiane Kristin Lagard.
Lagard tha se vëllimi i dëmit do të varet nga ajo se sa do të jenë të mëdha tarifat, sa do të zgjasin dhe nëse do të sjellin negociata të suksesshme.
"Të mos harojmë se përshkallëzimi i tarifave, sepse ato shpesh herë janë të dëmshme madje edhe për ata të cilët i vendosin, shpesh herë çojnë në tavolina negocimi ku njerëzit ulen, flasin dhe përfundimisht heqin disa nga ato pengesa", tha Lagard për radiostacionin irlandez Njuztok (Newstalk).
Presidenti amerikan Donald Tramp në platformën e tij Truth Social paraprakisht shënoi "Sot është dita e çlirimit në Amerikë!"
Tramp e ka shpallur datën e sotme – 2 prillin – si "Ditën e Çlirimit", duke pretenduar se shpallja e tarifave do ta çlirojë SHBA-në nga varësia e mallrave të huaj.
Jo të gjitha detajet e njoftimit të tij, i cili është planifikuar të bëhet në Shtëpinë e Bardhë në orën 16:00 me orën lokale (22:00 sipas orës së Maqedonisë), ende nuk dihen, por pritet të ketë pasoja globale. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s