Kuzhina qendrore botërore ndërpret punën humanitare në Gazë
- Organizata humanitare "Kuzhina qendrore botërore" (WCK) njoftoi se ka ndërprerë punën në Rripin e Gazës pasi i kanë mbaruar furnizimet.
- Post By Qefsere Abduli
- 10:09, 8 maj, 2025
Gazë, 8 maj 2025 (MIA) - Organizata humanitare "Kuzhina qendrore botërore" (WCK) njoftoi se ka ndërprerë punën në Rripin e Gazës pasi i kanë mbaruar furnizimet.
"Pasi shërbeu më shumë se 130 milionë vakte dhe 26 milionë bukë të thekur gjatë 18 muajve të fundit, WCK më shumë nuk ka furnizime për gatimin e vakteve ose pjekjen e bukës në Gazë", thuhet në kumtesë.
Nga 2 marsi, Izraeli i mban të mbyllura kalimet në Gazë për ndihmën ushqimore, mjekësore dhe humanitare, duke thelluar krizën tashmë ekzistuese humanitare në enklavë.
"Që kur Izraeli mbylli pikat kufitare në fillim të marsit, WCK nuk ka qenë në gjendje të rimbushë furnizimet me ushqim që përdorim për të ushqyer qindra mijëra banorë të Gazës çdo ditë", thuhet në njoftim.
WCK njoftoi se vazhdon të mbështesë familjet palestineze duke shpërndarë ujë të pijshëm që ka nevojë urgjente, aty ku është e mundur.
Duke theksuar se kamionët WCK të ngarkuar me ushqim dhe lëndë djegëse për gatim kanë qenë gati në kufirin me Gazën që nga fillimi i marsit, ata thanë se ushqimi dhe pajisjet shtesë janë gati për t'u dërguar në kufi nga Jordania dhe Egjipti.
"Puna jonë jetësore nuk mund të vazhdojë pa lejen e Izraelit për hyrjen e kësaj ndihme", shtuan ata.
Më shumë se 52,600 palestinezë janë vrarë në Gazë në sulmet izraelite që nga tetori i vitit 2023, ku shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë. qa/
Foto: arkivi i MIA-s