• e premte, 14 mars 2025

Kuvendi i Republikës Sërpska mbrëmë miratoi Propozimin për Kushtetutën e Re të RS-së dhe Ligjin për Mbrojtjen e rendit kushtetues

Kuvendi i Republikës Sërpska mbrëmë miratoi Propozimin për Kushtetutën e Re të RS-së dhe Ligjin për Mbrojtjen e rendit kushtetues

Banja Llukë, 14 mars 2025 (MIA) - Deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska (RSS) mbrëmë miratuan Draftin e Kushtetutës së re të RS-së, sipas të cilit ky entitet i Bosnjë e Hercegovinës do të shpallet shtet, do të ketë të drejtën e vetëvendosjes, ndërsa Këshilli i popujve të RS-së dhe nënkryetarët e RS-së shfuqizohen.

Sipas draftit të miratuar, shtetësia e Bosnjë e Hercegovinës hiqet dhe përmendet vetëm shtetësia e entitetit, ndërsa neglizhohet mundësia e hyrjes në aleancë ushtarake me shtetet e tjera, si dhe e drejta për konfederatë me një shtet tjetër.

Parashikohet rithemelimi i Armatës së RS-së, si dhe krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të RS-së, i cili do të emëronte gjyqtarë dhe prokurorë në këtë entitet.

Për miratimin e draftit të Kushtetutës së re të RS-së, votuan 50 deputetë nga koalicioni qeveritar, nga gjithsej 58 deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit gjatë votimit.

Shumica e deputetëve të opozitës nuk ishin në sallën e parlamentit gjatë votimit dhe të gjithë deputetët e Partisë Demokratike Serbe (PDS) më parë u larguan nga seanca.

Për miratimin e draftit të Kushtetutës së re të Republikës Sërpska kërkohej një shumicë e thjeshtë, por për miratimin përfundimtar të Kushtetutës së re kërkohet një shumicë prej dy të tretash, të cilën koalicioni qeverisës në Republikën Sërpska nuk e ka, siç e pranoi vetë presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

Shumica qeveritare në Asamblenë Kombëtare të Republikës Sërpska mbrëmë ka miratuar edhe Ligjin për mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës Sërpska, të cilin e ka propozuar presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me procedurë urgjente.

Ky ligj parasheh themelimin e Prokurorisë Speciale të Republikës Sërpska, i cili do të ketë autoritetin për të arrestuar këdo që qeveria e cakton si kërcënim për rendin kushtetues të Republikës Sërpska.

Është parashikuar që prokurori special të emërohet nga Asambleja Kombëtare e RS-së.

Opozita dërgoi një sërë kritikash ndaj këtij ligji, duke theksuar se Dodik po institucionalizon persekutimin e kundërshtarëve politikë në RS-së.

Ky ligj hyn në fuqi ditën pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR