• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kuvendi debaton për kredinë prej 25 milionë euro të EMV-së për revitalizimin e hidrocentraleve

Kuvendi debaton për kredinë prej 25 milionë euro të EMV-së për revitalizimin e hidrocentraleve

Shkup, 21 shkurt 2023 (MIA) - SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) do të marrë kredi prej 25 milionë euro te Banka Kreditore për Rindërtim për fazën e tretë të projektit për revitalizimin e hidrocentraleve. Për Propozim-ligjin për garanci të kredisë nga shteti sot debaton Kuvendi në vazhdimin e mbledhjes së 103-të.

VMRO-DPMNE-ja, siç paralajmëroi deputeti Bojan Stojanovski, do të ofrojë përkrahje për ligjin, sepse me të do të mundësohet realizimi i fazës së tretë të projektit, të filluar në kohën e Qeverisë së kaluar.

Edhe krahas mbështetjes së paralajmëruar Stojanovski dërgoi kritika për menaxhimin e situatave në energjetikë dhe kreditë e shtetit.

"Projekti ishte menduar të përfundonte në vitin 2020, ndërsa  SHA EMV madje tani merr borxh. Ne po marrim kredi prej 25 milionë euro për mjete fikse. Ne po fillojmë të marrim borxhe për gjëra që mund t'i sigurojmë vetë", tha Stojanovski.

Sipas tij, ELEM dhe MEPSO për vetëm pesë vite numërohen në mesin e pesë humbësve më të mëdhenj.

Në replikë, Zhaklina Llazarevska nga LSDM-ja theksoi se Qeveria menaxhon me sukses situatën në sektorin energjetik dhe ka investime edhe në kushte krize, duke theksuar se vetëm nga burimet e energjisë së rinovueshme ka 152 megavat energji elektrike shumë më tepër se i gjithë kapaciteti investues në 11 vitet e VMRO-DPMNE-së.

"Në aspektin energjetik, përveç që të gjitha njoftimet tuaja për zgjedhje të parakohshme dështuan, lideri juaj, ai që e ngroh ulësen e Gruevskit, Hristijan Mickoski, është dëshmuar se është injorant suprem lidhur me energjetikën, me muaj të tërë po përhap gënjeshtra dhe panik mes qytetarëve dhe të gjithë skenarët e tij apokaliptikë ranë në ujë. Qeveria ka arritur të sigurojë furnizim stabil dhe të rregullt me ​​energji elektrike në kohën më të pavolitshme, nuk ka kufizime dhe po punohet në rritjen e kapaciteteve", tha Llazarevska.

Debatin e karakterizojnë akuzat e ndërsjella edhe për borxhet e përgjithshme të shtetit dhe mosemetimin e euroobligacionit. 

Afati i shlyerjes së kredisë është 15 vjet, duke përfshirë periudhë mospagimi prej pesë vjetësh. Norma e interesit do të përcaktohet veçmas për çdo këst të kredisë pas tërheqjes së saj. Gjatë tërheqjes së çdo kësti pasues, llogaritet normë mesatare e ponderuar e interesit dhe e njëjta do të zbatohet për shumën e tërhequr nga kredia. Kredia do të shlyhet në këste gjashtëmujore me afat në datat 30 qershor dhe 30 dhjetor.

Përmes Programit për Energji Ripërtëritëse EMV - Komponenta I zbatohet revitalizim i hidrocentraleve Vrutok, Vërben, Raven, Tikvesh, Shpilje, Glloboçicë, Kozjak dhe Sveta Petka. Gjithsej nevojiten 36,2 milionë euro, ndërsa përveç kredisë prej 25 milionë euro, janë siguruar edhe 11,2 milionë euro grant investues.

Me revitalizimin pritet të ketë rritje të fuqisë së instaluar prej minimum 13,5 megavat dhe prodhimtari të rritur të energjisë elektrike prej rreth 47,5 gigavat orë në vit, shpenzime të ulura për mirëmbajtje, besim të rritur dhe stabilitet të sistemit për furnizim me energji elektrike.

Dy fazat e mëparshme për rivitalizimin e hidrocentraleve janë financuar edhe me kredi nga Banka Botërore dhe KfV. Fuqia e tyre e instaluar është rreth 85 për qind e fuqisë totale të instaluar të hidrocentraleve të shtetit. Këto termocentrale marrin pjesë me  prodhim mesatar prej 1280 GWh, pra sigurojnë 20 për qind të prodhimit total të energjisë elektrike në vend.fc/

QËNDRONI TË LIDHUR