Kush do të bëhet Papa i ri? Njohësit mund të parashikojnë përmes shenjave apo mesazheve
- Askush nuk e di se kë do të zgjedhin kardinalët për të pasuar Papa Françeskun dhe për t'u bërë kreu i ri i Kishës Katolike, por ata që i vëzhgojnë ngjarjet nga afër ndonjëherë mund të shohin parashikimet se kush mund të jetë Papa i ardhshëm.
- Post By Fami Bajrami
- 13:49, 25 prill, 2025
25 prill 2025
HINA
Askush nuk e di se kë do të zgjedhin kardinalët për të pasuar Papa Françeskun dhe për t'u bërë kreu i ri i Kishës Katolike, por ata që i vëzhgojnë ngjarjet nga afër ndonjëherë mund të shohin parashikimet se kush mund të jetë Papa i ardhshëm.
Procesi i zgjedhjes së një Pape të ri është i gjatë dhe sekret. Shumica e 252 kardinalëve nga e gjithë bota mbërrijnë në Romë. Por vetëm ata nën 80 vjeç, nga të cilët 135 po përgatiten të hyjnë në konklavë për të zgjedhur Papën e ardhshëm.
Kur të fillojë procesi, i cili sipas ligjit të kishës nuk duhet të jetë para 6 majit, kardinalët do të përjashtohen plotësisht nga bota moderne derisa të zgjidhet një papë i ri.
Përpara kësaj, ata mund të shkojnë në evente publike dhe të japin intervista rreth asaj që 1.4 miliardë katolikët e botës po kërkojnë nga udhëheqësi i ardhshëm.
"Leximi i shenjave të kandidatëve për papë është i ndërlikuar sepse shenjat zakonisht janë shumë suptile", tha Xhon Tavis, korrespondent i Vatikanit i cili ka ndjekur tre pontifikate.
Papa Françesku vdiq të hënën në moshën 88 vjeç. Nuk ka asnjë favorit të qartë për të qenë pasardhësi i tij.
Funerali i Papës, që do të bëhet të shtunën, më 26 prill, do të jetë momenti i parë i rëndësishëm për të parë shenja se kush mund të jetë kreu i ardhshëm i Kishës Katolike.
Dhjetëra mijëra njerëz, përfshirë dhjetëra udhëheqës botërorë si Presidenti i SHBA-së Donald Tramp dhe Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, priten në Sheshin e Shën Pjetrit për ceremoninë. Miliona të tjerë do të ndjekin funeralin e Papës në të gjithë botën.
Kardinalët e pranishëm do ta dëgjojnë me vëmendje predikimin e kardinalit italian Xhovani Batista Reo, dekan i Kolegjit të Kardinalëve dhe ish-prefekt i Kongregatës të Ipeshkvijve.
Në funeralin e Papa Gjon Palit II në vitin 2005, kardinali gjerman Josef Racinger mbajti një predikim dhe shumë menduan se ai mbajti një fjalim interesant rreth jetës dhe trashëgimisë së papës së ndjerë. Njëmbëdhjetë ditë më vonë, Racinger u zgjodh Papa Benedikti XVI.
Reo është 91 vjeç, ai nuk mund të hyjë në konklavë dhe të jetë kandidat për papë. Por njerëzit brenda presin që ai të mund t’u ofrojë udhëzime vëllezërve të tij kardinalë në mënyrën se si do ta përshkruante papatin e Françeskut ose me fjalët që do të përdorte për të përshkruar nevojat e Kishës Katolike sot.
Mund të ketë shenja
Funerali i Papës shënon të parën nga nëntë ditët e zisë për kishën botërore. Një tjetër përkujtimore do të mbahet në Sheshin e Shën Pjetrit të dielën, e udhëhequr nga Kardinali italian Pietro Parolini, deri vonë Sekretar Shteti, i cili përmendet shpesh si një kandidat kryesor për të pasuar Françeskun.
"Ekziston një shprehje e famshme... ai që hyn në konklavë si papë, largohet si kardinal", tha Kristofer Belito, një historian në Universitetin Kean në Nju Xhersi, i cili specializohet në kishë. Vetëm profetët e dinë se çfarë do të ndodhë”, tha ai.
Të dhëna të tjera rreth pasardhësve të Françeskut ka të ngjarë të shfaqen më ngadalë.
Kur kardinalët u mblodhën në Romë në vitin 2013 pas dorëheqjes së papritur të Benediktit, disa prelatë amerikanë, duke u përgatitur të merrnin pjesë në konklavë, filluan të thërrisnin konferenca për shtyp. Më vonë, një grup më i gjerë kardinalësh të tjerë u kërkuan atyre të ndalonin së vepruari kështu.
Pavarësisht faktit se këtë herë nuk ka konferenca për shtyp, kardinalët që kalojnë kohë në Romë shpesh drejtojnë meshët në kishat përreth qytetit. Predikimet që ata mbajnë në ato raste mund të ofrojnë të dhëna për atë që po mendojnë.
"Çdo shenjë do të vijë në pjesë ose fraza që përdoren për të përshkruar atë që kardinalët kërkojnë tek Papa i ardhshëm", tha Tavis. Fjalë si "hapje" dhe "reformë" mund t'u përshtaten disa kardinalëve, ndërsa "aftësi administrative" dhe "teologji e fortë" mund të përshkruajnë të tjerë, tha ai.
Pas dyerve të mbyllura
Të dhënat më të mëdha do të vijnë nga takimet e përditshme të kardinalëve në javën para konklavës.
Në këto takime, të quajtura "kongregacione të përgjithshme", kardinalët kanë mundësinë të flasin lirisht dhe ndoshta edhe të ofrojnë një vizion për papatin e tyre të ardhshëm.
Në vitin 2013, Kardinali argjentinas Horhe Mario Bergolio dha një përmbledhje të shkurtër të njërit prej këtyre takimeve. Ai tha se Kisha Katolike, e rënduar nga abuzimi seksual i priftërinjve dhe skandalet financiare, ishte bërë “e sëmurë” dhe shumë “vetë-referuese”, sipas një teksti të botuar më vonë. Ai shtoi se Kisha duhet të bëjë më shumë për t'u përpjekur të hapet ndaj botës moderne.
Disa ditë më vonë, Bergolio u zgjodh papë.
Diskutimet përfundimtare se kush duhet ta pasojë Françeskun do të zhvillohen në konklavë. Kardinalët që hyjnë në Kapelën Sistine do të jenë të izoluar nga bota, do t'u ndalohet të lexojnë gazeta ose të kenë ndonjë kontakt me botën e jashtme.
Konklava do të fillojë zyrtarisht kur Kryeipeshkvi Diego Ravelli, kreu i zyrës së Vatikanit për ceremonitë liturgjike, të thërrasë në latinisht "Extra omnes!" (të gjithë jashtë).
Foto: arkivi i MIA-s