Kurti: Serbia po ndërhyn në zgjedhjet në Kosovë
- – Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se ndërhyrja e Serbisë në Kosovë është “më serioze se ndikimi rus në Evropë”.
- Post By Fitore Curri
- 18:00, 7 tetor, 2025
Prishtinë, 7 tetor 2025 (MIA) – Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se ndërhyrja e Serbisë në Kosovë është “më serioze se ndikimi rus në Evropë”.
“Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve i Bashkimit Evropian në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kishte evidentuar ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet tona. Ndërhyrjet e shteteve tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti. Me gjithë këto, Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga BE-ja, andaj Serbia nuk po ndryshon sjellje. Kjo ndërhyrje që bën Serbia tani është edhe më e rëndë se sa ajo e Rusisë në Evropë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e QEverisë, duke folur për ndërhyrjen e Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë.
Kurti i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet në Kosovë dhe ta sanksionojë Serbinë për veprimet që bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe shkelin marrëveshjen bazë të Brukselit.
Ai ka shtuar se premtimet për vende pune që u bënë së fundmi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi dhe deklarimet se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s