• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Kurti pohon se policët e Kosovës janë rrëmbyer dhe se Serbia ka kryer agresion

Kurti pohon se policët e Kosovës janë rrëmbyer dhe se Serbia ka kryer agresion

Prishtinë, 20 qershor 2023 (MIA) - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot deklaroi se tre policët e arrestuar të Kosovës janë rrëmbyer dhe se më 14 qershor Serbia ka kryer agresion. 

Ai në konferencë për media së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, deklaroi se Jetish Jashari nga Zyra për lidhje e Kosovës në Serbi ka vizituar tre policët që ndodhen në paraburgim në Serbinë qendrore.

“Përshkrimi i policëve është i njëjtë se si ka ndodhur rrëmbimi. Ata thonë se kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, e 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar e kidnapuar. Që të tre thonë rrëfimin e njëjtë kur pyetën ndaras nga ambasadori ynë. Kjo heq dilemën. Serbia ka zhvilluar agresion më 14 qershor. Policët ishin në nivel të detyrës, në luftim të kontrabandës, aty ku është mbyllur një nga 15 rrugët e kontrabandës”, deklaroi Kurti para mediave.

Ai theksoi se dëshiron të shkojë në Bruksel pasi, sipas tij, qetësimi i situatës do të thotë lirimi i policëve. 

“Po, unë jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, në mënyrë që të paraqes hollësisht të gjitha këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë që deeskalimi të cilin po e kërkojnë të gjithë nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë”, ka deklaruar kryeministri.

Sipas tij normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm dhe pa kusht të marrëveshjes themelore.

Kurti iu referua edhe deklaratës së përfaqësuesit amerikan, duke theksuar se duhet pyetur Gabriel Eskobarin për cilat shtete, përveç Kosovës dhe Serbisë, ka menduar kur ka folur për mundësinë e një “konflikti rajonal”. qa/bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR