• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kurti për Si-En-En: Perëndimi ta detyrojë Serbinë t'i largojë bazat ushtarake nga kufiri me Kosovën

Kurti për Si-En-En: Perëndimi ta detyrojë Serbinë t'i largojë bazat ushtarake nga kufiri me Kosovën

Prishtinë, 10 korrik 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Serbisë që t'i largojë bazat ushtarake, të cilat i ka ngritur rreht kufirit me Kosovën, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në intervistën e mbrëmshme për Si-En-En, të cilën e transmetojnë mediumet kosovare, Kurti tha se Serbia dhe Rusia janë të ngjashme për shkak të interesit të përbashkët për zgjerimin e territoreve të tyre.

Ai shtoi se Serbia e pret mundëpsinë për të hyrë në Kosovë dhe se partnerët perëndimorë duhet ta pengojnë këtë.

"Fqinji ynë Serbia është shumë agresiv ndaj Kosovës, fillimisht duke mos e njohur si shtet të pavarur. Krahas kësaj, po bën një luftë hibride dhe po kryen stërvitje ushtarake në kufi. Kanë 48 baza operative rreth kufirit të Kosovës që presin një dritare mundësie. Ajo që ne kërkojmë nga partnerët perëndimorë është që të bëjnë presion mbi Beogradin për të tërhequr këto baza, prej të cilave secila ka 50-150 ushtarë. Nëse flasim nga pikëpamja politike, Serbia është e ngjashme me Federatën ruse. Ata nuk i njohin realisht fqinjët e tyre de fakto dhe de jure. U krijojnë probleme fqinjëve sepse duan të zgjerohen", tha Kurti. 

Në pyetje se çka ka bërë NATO-ja për Kosovën, kryeministri i Kosovës e theksoi rolin e madh të Aleancës për çlirimin e vendit, duke cekur se ajo e ka ndalur gjenocidin serb ndaj shqiptarëve.

"Muajin e kaluar e shënuam 25 vjetorin e çlirimit të vendit tonë dhe kjo nuk do të ishte e mundur pa intervenimin e NATO-s, pa aeroplanët e NATO-s që për 72 ditë bombarduan forcat policore dhe ushtarake të liderit serb, Sllobodan Millosheviq. Ishte lufta e katërt që filloi në territorin e ish-Jugosllavisë. Gjatë viteve të 90-ta, në Kosovë u bënë dhjetëra masakra të popullatës civile, ku u vranë gra, fëmijë dhe pleq, u dhunuan gra, u dogjën shtëpi dhe fshatra të tëra. E gjithë kjo ishte një projekt gjenocidal i Millosheviqit", tha Kurti për Si-En-En-in. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR