• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kurti për reciprocitetin ndaj Serbisë: Nuk ka vend për tensione apo destabilizim

Kurti për reciprocitetin ndaj Serbisë: Nuk ka vend për tensione apo destabilizim
Prishtinë, 31 korrik 2022 (MIA)- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim si pasojë e vendimit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë lidhur me dokumentet që nis së zbatuari të hënën nga pala kosovare, njofton korrespodenti i MIA-s në Prishtinë. Në konferencën e sotme për media para hyrjes së nesërme në fuqi të masave për ndryshimin e targave serbe me targa kosovare dhe pajisjen e qytetarëve të Serbisë me legjitimacione hyrëse-dalëse gjatë hyrjes në Kosovë, Kurti tha se pret që gjithçka të shkojë mirë, ndërsa mbi paralajmërimet nga Beogradi për tensione të mundshme, ai vlerësoi se “ata (autoritetet serbe) flasin për veten”, e jo për Kosovën. “Nuk ka kurrfarë hapësire për tension, nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim, sepse po bëhet diçka legjitime, diçka legale. Ata që flasin për dhunë, barrikada, për bllokime, për destabilizim, tensione, flasin për vete, nuk flasin për neve. Ne jemi Republikë demokratike, paqësore dhe besoj se gjithçka do të shkojë qysh është më së miri”, tha Kurti. “Unë jam kryeministër i progresit dhe i shpresës. E di që në fqinjin tonë verior, në skenën politike atje ka shumë politikanë e zyrtarë deri te kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës e frikësimit. Unë besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, Republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternativë, andaj edhe uroj, besoj dhe punoj që nesër gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë”, tha Kurti. Ai tha se shtetasve serb gjatë hyrjes në Kosovë nuk do t’u merren dokumentet personale, siç theksojnë disa media serbe dhe grupe në rrjetet sociale, por vetëm do t’u shtohet një fletë-deklarim. “Pra, ata vijnë me dokumentet e lëshuara nga Serbia. Ne nuk ua marrim ato. Ne ua lëshojmë një fletë-deklarim sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësoj me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Pra, nga nesër, ata do të kenë një dokument më shumë, jo më pak”, tha Kurti. Ai tha se beson se nesër gjithçka do të shkojë “qysh është më së miri”. “Janë organet e rendit dhe drejtësisë që i marrin vendimet për shkeljet e ligjit”, tha mes tjerash ai.

 

QËNDRONI TË LIDHUR