Kurti: Masat e BE-së janë të padrejta, shpresoj të jenë të shkurtra
- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot i ka vlerësuar të padrejta masat që i ka vendosur BE-ja kundër Kosovës për shkak të "mosndërmarrjes së masave për qetësimin e situatës në veri të Kosovës".
- Post By Besnik Shuki
- 15:43, 2 korrik, 2023
Prishtinë, 2 korrik 2023 (MIA) - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot i ka vlerësuar të padrejta masat që i ka vendosur BE-ja kundër Kosovës për shkak të "mosndërmarrjes së masave për qetësimin e situatës në veri të Kosovës".
Në përurimin e parkut të ri në fshatin Davidovc të Shtimes, Kurti tha se nuk bëhet fjalë për sanksione, por për masa ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta.
"Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit, e as me kushtetutshmërinë e vendit dhe për këtë shkak do të vazhdojë ta zbatojë programin qeveritar. Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutiv dhe më demokratik pro-evropian dhe progresist. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro-Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë, ku i ka shkaktuar katër luftëra”, ka thënë Kurti për mediumet.
Ai më tej shtoi se do të vazhdojnë me zbatimin e programit qeveritar dhe se shpreson që këto masa të jenë të shkurtra.
Kurti tha se Kosova është e gatshme dhe e interesuar shumë më tepër sesa Serbia për normalizim me njohje de fakto në qendër dhe ka shtuar tryeza e dialogut është për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë dhe gjithashtu për deeskalim.
“Ne jemi të gatshëm, të interesuar shumë më tepër sesa pala tjetër për normalizim me njohje de facto në qendër, për njohje reciproke, por gjithashtu jemi të interesuar dhe të gatshëm për deeskalimin e gjendjes për çfarë unë kam folur edhe publikisht ë të gjitha gjuhët që i di në mënyrë që të kemi paqe e qetësi në veri të Kosovës, por edhe Kosova e Serbia si dy shtete të ndërtojnë fqinjësi të llojit evropian”, është shprehur Kurti. bsh/
Foto: MIA Arkiv