Kurti kërkon nga SHBA që t'i bëhet trysni Serbisë për dorëzimin e Radoiçiqit
- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se është momenti i fundit që Serbia t'i dorëzojë autoriteteve gjyqësore të Kosovës Milan Radoiçiqin, i cili pranoi përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjska në veri të Kosovës më 24 shtator 2023, kur një polic i Kosovës dhe tre anëtarë të grupit të sulmuesve serbë u vranë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
- Post By Sara Ademi
- 17:37, 21 gusht, 2024
Prishtinë, 21 gusht 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se është momenti i fundit që Serbia t'i dorëzojë autoriteteve gjyqësore të Kosovës Milan Radoiçiqin, i cili pranoi përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjska në veri të Kosovës më 24 shtator 2023, kur një polic i Kosovës dhe tre anëtarë të grupit të sulmuesve serbë u vranë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Sipas njoftimit të shërbimit për informim të Qeverisë në Prishtinë, Kurti e ka paraqitur kërkesën për dorëzimin e Radoiçiqit gjatë një takimi me senatorin amerikan Kris Marfi, në margjinat e Konventës Kombëtare të Partisë Demokratike, që po mbahet në Çikago.
Radoiçiq, i cili është ish zëvendëskryetar i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, ka pranuar se qëndron pas sulmit terrorist në Banjska afër Zveçanit më 24 shtator. Pas sulmit, ai u ndalua në Serbi, por gjykata kompetente serbe e liroi nga paraburgimi pas dy ditësh, duke i konfiskuar atij dokumentin e udhëtimit dhe ia ndaloi të shkonte në Kosovë.
Kurti kërkoi nga SHBA që të bëjnë presion ndaj Beogradit për të dorëzuar Radoiçiqin për t'u gjykuar në Kosovë për akte terroriste.
"Tash kur po bëhen 11 muaj të vrasjes së rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, është koha e fundit që kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës dhe për këtë Kurti kërkoi që SHBA të bëjë trysni mbi Beogradin zyrtar", thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Aty përmendet se ndër temat e bisedës së Kurtit me senatorin demokrat Marfi ishte edhe çështja e dialogut me Serbinë, ku Kurti kërkoi zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të rënë dakord në Ohër.
Kurti theksoi se Serbia duhet ta nënshkruajë marrëveshjen si dëshmi dhe konfirmim se do ta zbatojë atë.
"Sa i përket dialogut me Serbinë, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit për zbatimin e saj nga Ohri. Ai shtoi se për zbatimin e marrëveshjes është i domosdoshëm edhe pranimi i saj nga Serbia, me nënshkrimin e saj si dëshmi dhe garanci e përkushtimit për zbatimin e marrëveshjes. Kryeministri Kurti nënvizoi se Serbia duhet të tërheqë letrën që ish kryeministrja Bërnabiq i dërgoi Bashkimit Evropian dhjetorin e kaluar, ku shprehte refuzimin dhe tërheqjen e Serbisë nga marrëveshja. Serbia duhet t'i kthehet marrëveshjes dhe ta respektojë atë në mënyrë që ajo të zbatohet. Marrëveshja nuk ka zbatim sepse mbi të gjitha nuk respektohet", njoftuan nga kabineti i kryeministrit. ia/sa/