• e martë, 26 nëntor 2024

Kurti kërkon dorëzimin e Radoiçiqit si kusht për vazhdimin e dialogut me Serbinë

Kurti kërkon dorëzimin e Radoiçiqit si kusht për vazhdimin e dialogut me Serbinë

Prishtinë, 4 tetor 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Serbia dorëzimin e ish nënkryetarit të partisë më të madhe të Serbëve të Kosovës, Milan Radoiçiq, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë në veri të Kosovës, si kusht për kthimin e tij në dialogun me Beogradin, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Kurti në një intervistë për mediumin BNN Blumberg (bnnbloomberg.ca), që e transmetojnë mediat e Kosovës, gjithashtu, kërkoi nga BE-ja të kryejë presion më të madh ndaj Beogradit për të ndihmuar në uljen e tensioneve me marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

"Duhej të ndodhte dje". Besoj se është e mundur", tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se kritikat ndërkombëtare për trajtimin nga qeveria e tij në raport me pakicën serbe në Kosovë ishin të tepërta.

"Ata janë shumë të shqetësuar. Sa herë që ndërmarrim veprime, ka zëra alarmues për përshkallëzimin e mundshëm, por ja ku jemi — Kosova është më mirë se kurrë më parë", ka thënë më tej ai.

Lëvizjet e Prishtinës për të mbyllur institucionet e mbështetura nga Serbia dhe për të ndaluar përdorimin e dinarit serb kanë nxitur paralajmërime nga SHBA dhe Bashkimi Evropian se veprimet mund të përbëjnë një kërcënim për paqen e brishtë në Ballkan.

Veprimet e Prishtinës, që përfshijnë mbylljen e degëve të bankave serbe në këtë pjesë, vijuan pas një shkëmbim zjarri vitin e kaluar pranë një manastiri ortodoks në veri të Kosovës që la të vdekur një oficer policie të Kosovës dhe tre militantë serbë. Kjo ishte përleshja më e përgjakur në rajon pothuajse pas dy dekadash", shkruan BNN Blumberg.

Kurti, sipas mediumit ndërkombëtar, mbrojti veprimet e tij si të nevojshme për të rivendosur ligjin dhe rendin në veriun e ndarë prej kohësh. Ai gjithashtu këmbënguli se hapat janë të nevojshëm drejt vendosjes së kontrollit mbi zonat me shumicë serbe dhe integrimit të plotë të tyre në sistemet ligjore dhe financiare të Kosovës.

"Përshtypja ime është se pikërisht për shkak se ne jemi të suksesshëm, Beogradi është më nervoz dhe rrjedhimisht më agresiv", thekson Kurti. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR