• e premte, 05 dhjetor 2025

Kurti i dërgon letër Abdixhikut për koalicion

Kurti i dërgon letër Abdixhikut për koalicion

Prishtinë, 5 maj 2025 (MIA)- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka dërguar letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku në të cilën thuhet se janë të interesuar për koalicion qeverisës.

Kurti në këtë letër e pranon se 61 vota përveç formimit të qeverisë, duhet t’i ketë edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në. Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”, thuhet në letrën e Kurtit, informojnë mediat në Prishtinë.

Kurti tutje ka shkruar se është i bindur se edhe votuesit e të dyja partive preferojnë një koalicion të tillë. 

“Jam i bindur që edhe votuesit e LDK-së e sot preferojnë më së shumti koalicionin me LVV-në. Edhe votuesit e LVV-së e preferojnë po ashtu me së shumti koalicionin me LDK-në, pse të mos e bëjmë?”, ka pyetur Kurti. 

Ai ka shtuar se LVV-ja nuk është e interesuar për koalicion me PDK-në. 

“Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?”, ka shkruar mes tjerash Kurti. 

Ndryshe, edhe sot ka dështuar që të kalojë propozimi i LVV-së që të formohet komisioni zgjedhor për votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Për kanë votuar 56 deputetë, kundër 1 dhe një ka abstenuar.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR