Kurti dënohet me 250 euro për shkak se refuzoi të dëshmojë para prokurorisë
- Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar kyeministrin e Kosovës Albin Kurtin me 250 euro pasi nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale (PSRK) për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore, raportojnë mediat kosovare.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:15, 2 prill, 2025

Prishtinë, 2 prill 2025 (MIA) - Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar kyeministrin e Kosovës Albin Kurtin me 250 euro pasi nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale (PSRK) për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore, raportojnë mediat kosovare.
Më 4 mars, Gjykata e Prishtinës lëshoi urdhër që Kurti të paraqitet para Prokurorisë dhe të dëshmojë për rastin me rezervat shtetërore, por ai nuk e ka respektuar vendimin e gjykatës.
Prokuroria tre herë e ka thirrë Kurtin të japë deklaratë, por ai nuk ka reaguar, ndaj iu drejtua Gjykatës.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata të miratojë aktvendim, me të cilin urdhërohet dëshmitari Kurti të paraqitet në hapësirat e Prokurorisë Speciale për të dhënë deklaratë.
Gjykata i ka pranuar kërkesat e Prokurorisë, por Kurti nuk e ka respektuar vendimin e gjykatës dhe për këtë është dënuar me 250 euro.
Mosbindja e mëtejshme ndaj vendimit të gjykatës mund të çojë në dënimin e sërishëm të Kurtit, ndërsa nëse nuk paraqitet para prokurorisë, do të përballet me kërcënim të paraburgimit të detyruar.
Nëse përsëri nuk i përgjigjet pyetjes së prokurorisë, mund të dënohet me 30 ditë burgim. qa/bsh/
Foto: EPA