Kurti: Asgjë më shumë nuk i shërben paqes sa anëtarësimi i Kosovës në BE dhe NATO
- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se asgjë nuk i shërben më shumë paqes dhe sigurisë së rajonit dhe Evropës sa anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veriatlantike, njoftoi korespodenti i MIA-s nga Prishtina.
- Post By Besnik Shuki
- 17:56, 7 korrik, 2024
Prishtinë, 7 korrik 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se asgjë nuk i shërben më shumë paqes dhe sigurisë së rajonit dhe Evropës sa anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veriatlantike, njoftoi korespodenti i MIA-s nga Prishtina.
Në video-fjalimin e Internacionales Socialiste, e cila është organizatë e partive të majta, Kurti thotë se sa më shumë që integrohen qytetarët e komunitetit serb në Republikën e Kosovës, aq më të vështirë e ka Serbia që të arrijë te vizioni i saj për zgjerim territorial.
“Vetëm vitin e kaluar Serbia i kidnapoi tre policë prej brenda kufijve tanë dhe më 24 shtator bëri sulm terrorist që vrau një polic, me qëllimin përfundimtar që ta aneksojë pjesën veriore të territorit tonë...Jemi të përkushtuar fort në vlerat dhe idetë që i përshkojnë këto organizata dhe nuk ka asgjë që do t’i kontribuonte më shumë paqes, stabilitetit, sigurisë dhe demokracisë në Ballkan Perëndimor dhe Evropë sesa anëtarësimi i Kosovës”, ka deklaruar Kurti. bsh/