Kurt për MIA-n: Po rrisim kapacitetin e Aeroportit të Ohrit, nuk ka ndërprerje në qarkullimin gjatë modernizimit
- Pritet që për një muaj të fillohet me një pjesë të punimeve të planifikuara për modernizimin e aeroportit “Sh. Apostoll Pavle" në Ohër, ndërsa gjatë aktiviteteve të parapara të projektit nuk do të ndalet komunikacioni ajror, paralajmëron drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt në një videointervistë për MIA-n.
- Post By Fami Bajrami
- 14:49, 5 mars, 2025

Shkup, 5 mars 2025 (MIA) - Pritet që për një muaj të fillohet me një pjesë të punimeve të planifikuara për modernizimin e aeroportit “Sh. Apostoll Pavle" në Ohër, ndërsa gjatë aktiviteteve të parapara të projektit nuk do të ndalet komunikacioni ajror, paralajmëron drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt në një videointervistë për MIA-n.
Modernizimi i aeroportit është obligim i TAV Maqedoni në përputhje me Marrëveshjen për koncesionin e aeroportit. Planet janë që të rritet kapaciteti i terminalit të pasagjerëve dhe të ofrohet komoditet për pasagjerët që udhëtojnë nëpër aeroport.
"Procesi tashmë ka filluar dhe presim që për rreth një muaj të fillojmë aktivisht një pjesë të punëve. Ndërkohë që po realizojmë projektin dhe po punojmë në ndërtimin, rikonstruimin dhe rinovimin nuk do të ketë ndërprerje në qarkullim. Shumë jemi rigjidë kur bëhet fjalë për funksionimin e aeroportit. Nuk do të ndalojmë asnjë operacion, do ta zhvillojmë në faza që të sigurohemi se asgjë nuk do të jetë në ndërprerje, do të fillojmë me njërën anë dhe më pas do të vazhdojmë me tjetrën, njësoj si kur janë zhvilluar punimet për rikonstruimin e pistës disa vite më parë, kur aeroporti nuk u mbyll”, thotë Kurt.
Në intervistën që MIA do ta publikojë nesër, Kurt flet për përmbushjen e obligimeve të deritashme dhe të ardhshme nga Marrëveshja, planet për zhvillimin e mëtejmë të Aeroportit ndërkombëtar të Shkupit, aktivitetet për ofrimin e destinacioneve të reja për udhëtarët...
Foto: MIA