• e mërkurë, 06 nëntor 2024

Kupçan për REL: Manovrat në veri i shërbejnë Kurtit, e jo Kosovës dhe janë të rrezikshme për shtetin

Kupçan për REL: Manovrat në veri i shërbejnë Kurtit, e jo Kosovës dhe janë të rrezikshme për shtetin

Prishtinë, 2 shtator 2024 (MIA) - Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Çarls Kupçan beson se veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, janë të motivuara nga politika e brendshme, përpara zgjedhjeve të shkurtit, por thekson se ato janë të rrezikshme për Kosovën, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Të premten e kaluar, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti mbylli disa institucione paralele serbe në veri të vendit.

Aksioni nxiti reagimin e NATO-s, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore, të cilat e cilësuan si "të pakoordinuar" me aleatët perëndimorë dhe me rrezik për sigurinë, si për qytetarët ashtu edhe për pjesëtarët e Misionit paqësor të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Për mua, këto janë gjeste dhe manovra në nivel të politikës së brendshme, të cilat mund të jenë të mira për fatin politik të kryeministrit Albin Kurti, por nuk janë të mira për Kosovën”, thotë Kupçan për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Kosova duhet ta balancojë ushtrimin e sovranitetit me synimin për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë dhe për t’u bërë vend anëtar i BE-së dhe NATO-s.

Siç transmeton MIA, Kupçan beson se veprimi i fundit i Prishtinës zyrtare është veçanërisht shqetësues, “sepse vjen pas një sërë hapash të ndërmarrë nga qeveria e Kurtit – që nga ardhja e tij në pushtet – që pengojnë dialogun me Serbinë dhe kërcënojnë marrëdhëniet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian". 

"Qoftë ndalimi i përdorimit të dinarit, qoftë detyrimi për ndryshimin e targave, përpjekja për hapjen e urës së Ibrit, përpjeka e njëanshme për t’i instaluar kryetarët e komunave në veri, edhe pse janë zgjedhur nga një pakicë e vogël votuesish, apo tani mbyllja e këtyre institucioneve paralele... këta nuk janë hapa të dobishëm. Por, tani që zgjedhjet në Kosovë janë shpallur për muajin shkurt, mendoj që Kurti po pozicionohet për t’ia dalë mirë në atë proces", vlerëson Kupçan.

Ai thotë se të gjithë e kanë të qartë se "kudo në botë, por sidomos në Ballkan, nacionalizmi funksionon mirë" dhe se "Kurti  po e bën pikërisht këtë". 

"Por, sipas vlerësimit tim, është dritëshkurtër, sepse e minon mbështetjen e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe nuk ndihmon për ta çuar përpara dialogun me Serbinë - përkundrazi, e kthen prapa. Për mua, këto janë gjeste dhe manovra në nivel të politikës së brendshme, të cilat mund të jenë të mira për fatin politik të Kurtit, por nuk janë të mira për Kosovën", theksoi Kupçan. ia/sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR