Kryetarja e KE-së kërkon shpjegime nga Zelenski për luftën kundër korrupsionit
- Kryetarja e Komisionit Evropian (KE) Ursula fon der Lajeni i ka kërkuar shpjegime presidentit ukrainas Volodimir Zelenskit pas miratimit të një ligji mbi strukturat kundër korrupsionit që shkaktoi një valë protestash në Ukrainë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 19:10, 23 korrik, 2025
Bruksel, 23 korrik 2025 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian (KE) Ursula fon der Lajeni i ka kërkuar shpjegime presidentit ukrainas Volodimir Zelenskit pas miratimit të një ligji mbi strukturat kundër korrupsionit që shkaktoi një valë protestash në Ukrainë.
Ursula fon der Lajeni "shprehu shqetësim serioz për pasojat" e ligjit, i cili shfuqizon pavarësinë e organeve kundër korrupsionit, dhe "kërkoi shpjegime nga qeveria ukrainase", deklaroi sot një zëdhënës anonim i KE-së.
Siç raportoi Beta, ai theksoi se respekti për sundimin e ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë në thelb të projektit evropian.
"Si vend kandidat, Ukraina pritet t'i respektojë plotësisht këto standarde. Nuk mund të ketë kompromise", tha zëdhënësi.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dje nënshkroi një ligj të diskutueshëm, i cili shfuqizon pavarësinë e agjencive për luftë kundër korrupsionit.
Disa qindra protestues dolën në rrugët e Kievit dhe qyteteve të tjera të mëdha mbrëmë për të shprehur pakënaqësinë e tyre.
Aleatët e Ukrainës, si dhe organizatat joqeveritare në vend, kanë shprehur shqetësim.
BE-ja dje ka shprehur shqetësim. Komisarja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e përshkroi këtë si një hap serioz prapa për Ukrainën në luftën kundër korrupsionit.
"Kufizimi i pavarësisë së agjencive kundër korrupsionit pengon rrugën e Ukrainës drejt BE-së", deklaroi sot ministri gjerman i Punëve të Jashtme Johan Vadeful.
Foto: Arkivi i MIA-s