• e premte, 05 dhjetor 2025

Kryeministri kanadez do të takohet me Trampin

Kryeministri kanadez do të takohet me Trampin

Uashington, 7 tetor 2025 (MIA) - Kryeministri kanadez, Mark Karni sot do të takohet me presidentin amerikan, Donald Tramp. 

Karni është për vizitë në Shtëpinë e Bardhë para shqyrtimit të marrëveshjes për tregti të lirë e cila është e thelbësore për ekonominë kanadeze. 

Deklarata e mëhershme e Trampit se Kanadaja duhet të mbetet shteti i 51-të amerikan dhe doganat që vendosi, kanë shkaktuar reagime të fuqishme tek kanadezët. 

"Kemi pasur ulje dhe ngritje, por kjo është pika më e ulët e marrëdhënies që mund të mbaj mend", tha ish ambasadori kanadez në SHBA, Frenk Mekena. 

Ai shtoi se kanadezëve "nuk u thuhet çfarë të bëjnë", por "thjesht votojnë me këmbët e tyre”. 

"Çdo ditë bisedojë me qytetarë të zakonshëm të cilët po ndryshojnë planet e tyre të pushimeve dhe me pronarë të kompanive të mëdha që po ndryshojnë destinacionin për çmime ekzekutive ose udhëtime pune. Po ndodh një rebelim i hapur", tha Mekena. 

Në Kanada ekziston frika se çfarë do të ndodhë me Marrëveshjen midis SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë. Karni dëshiron të marrë lehtësim nga doganat në disa sektorë, por pritshmëritë janë të ulëta. 

"Përmirësimi i marrëdhënieve me Shtëpinë e Bardhë përpara Marrëveshjes për reduktimin e doganave të SHBA-së është sigurisht qëllimi i vizitës, por partitë opozitare dhe një pjesë e publikut kanadez do ta kritikojnë kryeministrin Karni nëse ai nuk arrin ndonjë përparim në front me doganat në këtë fazë", tha Daniell Beland, profesor i shkencave në Universitetin Mekgil në Montreal. 

Presidenti amerikan, Tramp, dje deklaroi se priste që Karni të dëshirojë ta përdorte takimin për të diskutuar tregtinë. 

"Supozoj se do të pyesë për doganat, sepse shumë kompani kanadeze po zhvendosen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Trampi. 

Të dy vendet kanë bashkëpunim të ngushtë në mbrojtje, sigurinë kufitare dhe zbatimin e ligjit, si dhe ngjashmëri në kulturë dhe traditë. 

Kanadaja është një destinacion kryesor eksporti për 36 shtete amerikane. Rreth 60 për qind e importeve të naftës në SHBA vijnë nga Kanadaja, ndërsa 85 për qind e importeve të energjisë elektrike në SHBA vijnë nga Kanadaja, ndërsa më shumë se 77 për qind e eksporteve kanadeze shkojnë në SHBA. 

Kanadaja është gjithashtu furnizuesi më i madh i huaj i çelikut, aluminit dhe uraniumit amerikan dhe posedon 34 minerale dhe metale kritike të nevojshme nga ushtria amerikane. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR