• e premte, 05 dhjetor 2025

Kryeministri i Rumanisë, Çollaku dha dorëheqje

Kryeministri i Rumanisë, Çollaku dha dorëheqje

Bukuresht, 5 maj 2025 (MIA) - Kryeministri i Rumanisë, Marsel Çollaku sot dha dorëheqje, një ditë pas fitores bindëse të së djathtës ekstreme në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe humbjes së kandidatit të përkrahur nga Qeveria e tij.

"Duke marrë parasysh rezultatet e votimit, koalicioni i formuar me liberalët dhe partinë e minoritetit hungarez nuk ka më legjitimitet", deklaroi Çollaku.

Socialdemokrati Çollaku ia parashtroi dorëheqjen presidentit të Rumanisë, Ilie Bolozhan dhe ministrave u propozoi të largohen nga Qeveria, pasi nuk e kanë më shumicën e nevojshme në Parlament.

Ministrat do të veprojnë me autorizime teknike derisa të formohet qeveria e re pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, të planifikuara për 18 maj.

Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në dhjetor, Çollaku (57) mbeti në krye të qeverisë në bazë të marrëveshjes, e cila ka pasur për qëllim të pengojë ngritjen e së djathtës ekstreme dhe të paraqet një kandidat të përbashkët për zgjedhjet presidenciale.

Kandidati i qeverisë, Krin Antonesku, në raundin e parë të djeshëm ishte i treti. Kandidati i ekstremit të djathtë, Xhorxhe Simion dje fitoi 40,9 për qind të votave, ndërsa kryebashkiaku i Bukureshtit, Nikushor Dan fitoi 20,9 për qind. bsh/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR