Kryeministri i Katarit: Netanjahu "vrau çdo shpresë" për pengjet në Gaza
- Përpjekja për atentat ndaj udhëheqësve të Hamasit në Katar nga ana e Izraelit mund të ketë pasoja serioze për pengjet e mbajtura në Rripin e Gazës, paralajmëroi mbrëmë kryeministri i Katarit.
- Post By Sara Ademi
- 08:37, 11 shtator, 2025
Doha, 11 shtator 2025 (MIA) - Përpjekja për atentat ndaj udhëheqësve të Hamasit në Katar nga ana e Izraelit mund të ketë pasoja serioze për pengjet e mbajtura në Rripin e Gazës, paralajmëroi mbrëmë kryeministri i Katarit.
"Mendoj se atë që (kryeministri izraelit Benjamin) Netanjahu e bëri, ai thjeshtë vrau çdo lloj shprese për ato pengje", deklaroi për televizionin amerikan Si-En-En kryeministri Mohamed bin Abdulrahman Al-Tani, i cili është edhe ministër i punëve të jashtme.
Kryeministri i Katarit deklaroi për Si-En-En se është takuar me familjen e njërit peng mëngjesin e sulmit. "Ata po mbështesin në këtë ndërmjetësim (për armëpushim), nuk kanë shpresë tjetër për atë", tha ai.
Katari, së bashku me Egjiptin dhe SHBA-në, ndërmjetëson në konfliktin në Gaza mes Izraelit dhe organizatës militante palestineze Hamas.
Sipas burimeve izraelite, 48 pengje mbesin në Gaza, nga të cilët besohet se 20 ende janë gjallë. Familjarët e pengjeve shprehën brengë të thellë pas sulmit të martën.
Katari do ta rishqyrtojë rolin e tij ndërmjetësues.
Izraeli kreu sulmin e papritur në Doha të martën. Raportet thonë se një objektiv ishte Halil al-Haja, figura më me ndikim e lëvizjes islamiste jashtë vendit, i cili po kryeson delegacionin e Hamasit në bisedimet për armëpushim.
Hamasi kumtoi se sulmi nuk ka arritur dhe se nuk janë vrarë anëtarët e delegacionit.
Sipas kumtesës së Hamasit, gjashtë persona kanë humbur jetën në sulmin në Doha, duke përfshirë edhe djalin e al-Haja dhe kryeshefin e tij të kabinetit. Kur ishte pyetur për vendin ku gjendet al-Haja, kryeministri i Katarit tha se për momentin nuk ka "deklaratë zyrtare".
Pas sulmit, Al Tani së pari theksoi se Katari mund ta vazhdojë rolin e tij ndërmjetësues në luftën në Gaza. Megjithatë, ai dje për Si-En-En deklaroi se banorët e Katarit "rishqyrtojnë gjithçka" në lidhje me pjesëmarrjen e vendit në negociatat e ardhshme për armëpushim, duke shtuar se janë në "një bisedë shumë detajore", me qeverinë amerikane për atë se si të vazhdojnë.
Sulmi ajror i Izraelit ndaj Dohas shkaktoi dënim ndërkombëtar. sa/
foto: EPA